Nxënësit në 17 shkolla në Viti pinë ujë të kontaminuar, Komuna thotë se po merret me sanimin

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 25 November 2019 21:22

Nxënësit e shumicës së shkollave fillore në Viti, po vazhdojnë të përdorin për pije ujë të kontaminuar.

Rezultatet e mostrave të marra në muajin tetor nga Instituti i Shëndetit Publik në 17 shkolla, tregojnë për nivel të lartë të kontaminimit bakteriologjik dhe kimik, raporton KTV.

Prej këtyre shkollave, 70 përqind kanë ujë të kontaminuar bakteror, ndërsa dhe 35 përqind prej tyre, kanë ujë me kontaminim kimik.

Njëra ndër shkollat që përballet me ujë të kontaminuar bakteror dhe kimik është “Nazmi Pajaziti” në Radivojcë.

Drejtori i shkollës, Nezir Hasani, thotë se e ka identifikuar shkakun e kontaminimit të ujit, e që është përzierja e ujërave fekale me ujin e pusit, prej ku furnizohen.

Por, Hasani thotë se i ka paralajmëruar nxënësit se ky ujë nuk është i pijshëm dhe tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë.

Për ta tejkaluar këtë situatë e cila po përsëritet vazhdimisht, drejtoritë gjegjëse të kësaj komune në bashkëpunim me drejtorët e shkollave, kanë diskutuar rekomandimet e dala nga ky institut.

Sipas drejtorit të Inspektoratit, Skënder Ahmeti, njëra prej masave të ndërmarra ishte ajo e klorilizimit të puseve.

Sipas Ahmetit, kur ka reshje të vazhdueshme të shiut dhe vërshime, të cilat janë të shpeshta në këtë komunë, uji i shkollave kthehet në gjendjen e mëparshme.

Analiza janë bërë edhe në një numër të vogël të shtëpive të shëndetit në disa fshatra, ku gjithashtu është konstatuar niveli i lartë i kontaminimit bakteriologjik dhe kimik.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme