Banorët në Llabjan të Novobërdës ankohen për cilësinë e dobët të asfaltit

Fitim Majkovci 23 November 2019 20:19

Rruga iu shtrua vetëm dy javë më parë, por banorëve të fshatit ‘’Llabjan’’ nga Novobërda, nuk po u pëlqen puna e kryer këtu.

Për banorët, cilësia e asfaltit të shtruar në këtë pjesë të lagjes është e dobët, derisa kanë ankesa edhe për mënyrën se si u kryen punimet, raporton KTV.

Sipas banorëve, punimet në këtë rrugë u kryen brenda një nate, derisa kompania fituese për shtrimin e kësaj rruge punën nuk e çoi deri në fund.

Derisa banorë të tjerë të lagjes tregojnë se këtë rrugë shpeshherë e kanë rregulluar me mjete personale, derisa shprehen se gjendja e rrugës vështirë se do t’i mbijetojë stinës së dimrit.

Zyrtarë nga komuna e Novobërdës përmes telefonit, i kanë thënë KTV-së se vendimi për shtrimin e kësaj rruge është marrë nga zëvendës-kryesuesi i kuvendit komunal, Ramush Mehmeti.

Sipas tyre, asfaltimi i kësaj rruge të fshatit është bërë pa pëlqimin e komunës, andaj edhe përgjegjësia për pakënaqësitë e banorëve bie pikërisht mbi Mehmetin.

E sipas zëvendëskryesuesit, kuvendi komunal e ka miratuar këtë kërkesë me pëlqimin e shumicës, dhe ky projekt është përkrahur edhe nga vetë banorët.

Ndonëse nuk ka pranuar të prononcohet para kamerës, pronari i kompanisë së kontraktuar për asfaltimin e kësaj rruge, i ka thënë ekipit të televizionit se puna në këtë rrugë është në fazën përfundimtare.

Derisa shumë shpejt pritet të bëhet edhe rregullimi i gjendjes së kësaj rruge pas vërejtjeve të inspektorëve komunalë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme