Arbëri

40 persona që i kanë dëmtuar pyjet në Ferizaj punësohen në biznese private

Drejtoria e Bujqësisë dhe e Pylltarisë ka lidhur një marrëveshje me bizneset private për t’i punësuar 40 persona, të cilët kanë dëmtuar pyjet shkaku i gjendjes së rënduar ekonomike.

Sipas zyrtarëve komunalë gjatë këtij viti në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë marrë hapa konkretë për ta parandaluar dukurinë e dëmtimit të pyjeve. Burim Bajrami, drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, ka thënë se gjatë vjetëve të fundit janë dëmtuar pyjet në masë të madhe, mirëpo ndërkohë kanë arritur ta parandalojnë një dukuri të tillë, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, edhe Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë vendime të plotfuqishme ndaj dëmtuesve të pyjeve, ndërkohë shumica prej tyre kanë nisur t’i paguajnë gjobat e obliguara. Sipas tij, dhjetëra dëmtues janë dënuar me gjoba të larta, por ka edhe prej tyre që janë dënuar me nga 6 dhe 13 muaj burgim.

“Pasi kemi marrë aktvendimet e Gjykatës, u jemi drejtuar palëve që të bëjnë pagesa vullnetare ose të bëjnë marrëveshje me Komunën për pagesë me rata. Një pjesë e madhe i janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë bërë pagesat në tërësi. Ndërkaq për ata që nuk i kanë kryer pagesat do t’i procedojmë lëndët me përmbarues. Pra, Gjykata ka nxjerrë gjithsej 207 aktgjykime për këtë vit. Ndërkohë kemi identifikuar 40 dëmtues recidivistë që e kanë përsëritur këtë gabim. Sidoqoftë për ta parandaluar këtë dukuri ne kemi marrë hapa konkretë dhe nëpërmjet kompanive private kemi punësuar mbi 40 dëmtues të pyjeve, të cilët kanë një gjendje të rëndë ekonomike”, ka thënë Bajrami.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)