Përfundon rinovimi i Urës së Terzive në Gjakovë

Përfundon rinovimi i Urës së Terzive në Gjakovë

21 November 2019 20:14

Zyrtarë komunal të Gjakovës bashkë me ata të UNDP-së janë mbledhur sot në Urën e Terzive në Gjakovë për të shënuar përfundimin e punëve katër-mujore të rindërtimit dhe rinovimit të kësaj ure.

Sipas njoftimit për media, pamja e re e urës u mundësua përmes projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

“Ardian Gjini, Kryetar i Komunës së Gjakovës, Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Riccardo Serri, Zëvendës Shef i Zyrës së BE-së, Burbuqe Bakija-Deva, Zëvendës Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyrtarë komunal dhe partnerë u mblodhën këtë pasdite në Urën e Terzive në Gjakovë për të shënuar përfundimin e punëve katër-mujore të rindërtimit dhe rinovimit që ia ktheu kësaj ure të shekullit XVIII shkëlqimin e saj origjinal. ‘Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore’, i financuar nga Instrumenti i BE-së për Paqe dhe Stabilitet (IcSP/BE). Ky segment i veçantë i projektit u financua gjithashtu nga komuna e Gjakovës duke forcuar ndjeshëm partneritetin lokal”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, punimet filluan në muajin korrik dhe disa prej ndërhyrjeve përfshinë punime në gur dhe restaurimin e urës së vjetër, instalimin e energjisë elektrike dhe ndriçimin, pastrimin e zonës përreth dhe lumit duke përfshirë trajtimin dhe rregullimin e bregut të lumit, ndërtimin e shëtitores, platformave prej betoni dhe druri për vizitorët, ulëseve si dhe gjelbërimin e zonës dhe mbjelljen e pemëve.

“Historia e urës është shumë interesante”, thuhet tutje në njoftim. “Ura “Terzi” është një arritje e jashtëzakonshme arkitektonike e shekullit të XVIII. Ura ka njëmbëdhjetë harqe gjysmërrethore të madhësive të ndryshme. Kjo urë është njëra nga të paktat të arkitekturës osmane në Kosovë dhe në Ballkan që qëndron edhe sot e kësaj dite dhe restaurimi i saj ishte një përpjekje shumë e rëndësishme siç është edhe konzervimi dhe ruajtja e mëtutjeshme për brezat e ardhshëm”.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme