Rrënohen kioskat e ndërtuara pa leje në Prevallë, shitësit thonë se nga to e siguronin mbijetesën

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 21 November 2019 21:38

Me asistencë të Policisë së Kosovës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, këtë të enjte ka rrënuar kioskat e vendosura në zonën e Parkut Nacional të Sharrit, në Prevallë.

Pronarët e tyre thonë se vetëm me to e mbajnë familjen, andaj, sipas tyre, është dashur që fillimisht të caktohet një lokacion tjetër për ta, raporton KTV.

“Kam 10 anëtarë të familjes. Këtu kam jetuar. Fëmijët nuk janë të punësuar. Askund nuk punojnë. Tre nga fëmijët shkojnë në shkollë. S’kam çfarë të bëj. Nuk kam pension. Burri më ka vdekur. Si të jetoj nuk e di as unë. Dhe si të shpërngulem nga këtu? Ku të shkoj? Nuk kam asnjë të drejtë. Çka tjetër t’ju them, nuk kam punë, nuk kam asgjë, me çfarë të jetoj unë? Ku të shkojmë, le të na japin të drejtën dhe ne do të shkojmë nga këtu, por kurrfarë të drejte nuk kemi këtu. Si të jetojmë, me çfarë të jetojmë”, ka thënë Bajrie Bajrami e cila është shitëse.

Duke e cilësuar si veprim të padrejtë, ata do të protestojnë mëngjesin e së premtes.

Në vend të ngjarjes, gjatë gjithë kohës, ka qëndruar edhe Inspektorati i Ministrisë, që ka treguar se pronarët e kioskave janë paralajmëruar me kohë që t’i largojnë ato.

Tutje, nga ky institucion kanë treguar se vendimi për rrënimin e tyre është marrë vite më parë dhe se me kohë do të gjendet një zgjidhje për ta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme