Arbëri

Riaktivizohet shërbimi i konfiskimit të veturave të parkuara gabimisht në Pejë

Komuna e Pejës ka riaktivizuar shërbimin e konfiskimit të automjeteve të parkuara gabimisht. Kontrata me operatorin e mëparshëm ka skaduar në korrik.

Por, kësaj here, operatori do të vendosë bllokada në rrotë, nëse nuk arrin t`i konfiskojë veturat, shkruan sot Koha Ditore.

“Operatori do t’i vendosë bllokuesit nëpër goma të automjeteve të parkuara ilegalisht në vendet nga ku operatori nuk mundet ta largojë dhe ta bartë automjetin e parkuar ilegalisht. Kjo është hera e parë që në Pejë do të përdoren bllokuesit e gomave të automjeteve”, thotë Xhemë Berisha, menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Pejës.

E në rast se pronari i automjetit heq bllokuesin e vendosur në gomë, do të ndiqet penalisht. “Është veprim i kundërligjshëm nëse kundërvajtësi e heq bllokuesin nga goma. Për këtë vepër ai do të ndiqet penalisht për dëmtim të pasurisë”, tregon Arben Visoqi, komandant i trafikut rajonal të Pejës, se me çka do të përballet pronari i automjetit nëse e laron nga goma bllokuesin.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)