Arbëri

Muralet në urën e Ibrit bashkojnë artistët serbë e shqiptarë

Dhjetëra artistë të rinj shqiptarë e serbë, kanë punuar sot së bashku murale të ndryshme, duke kthyer kështu urën e Ibrit në qytetin e Mitrovicës në një instalacion artistik.

Ky ishte edicioni i dytë në kuadër të festivalit të muraleve ‘Nomad’, që u organizua nga organizata joqeveritare ‘Futja ngjyrë’ nga jugu dhe organizata ‘Link’ nga veriu i Mitrovicës.

Drejtori i OJQ-së ‘Futja ngjyrë’, Bardhyl Dobroshi, ka bërë të ditur për KosovaPress, se qëllimi i krijimit të këtyre muraleve është që të ndryshohet pamja e qytetit për të mirë.

“Kemi vendosur që për fund me ardhë në urën e Ibrit dhe me ia ndryshu pamjen për të mirë… Kemi artistë shqiptarë dhe serbë, pasi që edhe festivalin e kemi bërë me dy komunitetet. E kemi mbajtur një kamp në Vllahi ku i kemi bërë skicat, pas kampit kemi ardhur në qytetin e Mitrovicës në jug dhe në veri dhe kemi filluar me punime”, ka thënë Dobroshi.

Ai shpreson se vitet në vijim ky qytet do të mbushet akoma më shumë me murale të tilla dhe atraktive.

Në anën tjetër, Millan Dobriq, nga organizata joqeveritare ‘Link’, me seli në veri të Mitrovicës, tha se qëllimi i krejt kësaj është që sa më shumë të rinj të përfshihen në këtë aktivitet, në mënyrë që qoftë edhe për pak çaste të harrohen problemet e që ndërlidhen me politikë.

Sipas tij, pak ka rëndësi cilit komunitet i përket, sepse problemet dhe gjërat që bëjnë janë të ngjashme, ndërsa synimi është të punohet.

“Qëllimi është që të përfshihen sa më shumë të rinj dhe njerëz kreativë, dhe që të paktën për pak çaste t’i harrojmë problemet të cilat na rrethojnë e që ndërlidhen me politikë…Sot po punojmë këtu te ura, dhe siç e shihni kemi mure në të cilat shkruan shumë dhe gjithçka, ndërsa kemi vendosur që sado pak t’i bëjmë këto mure të larmishme, në mënyrë që ta bëjmë qytetin tonë më të bukur si nga njëra, ashtu edhe nga ana tjetër…Ne absolutisht nuk shikojmë nëse dikush është shqiptar, turk apo serb. Qëllimi është të punojmë…Njerëz jemi, fundja po bëjmë gjëra të ngjashme, synim kemi që qytetin ta zbukurojmë, qoftë edhe për disa vjet, derisa dikush t’i mos shkatërrojë”, theksoi Dobriq.

Ndryshe, kjo ngjarje që përveç krijimit të muraleve të sotme, ka përfshirë kamping dhe work-shope të ndryshme gjatë ditëve të kaluara, ka kushtuar mbi 8 mijë euro, ndërsa është financuar nga Fondacioni kosovar për shoqëri të hapur dhe Drejtoria e Kulturës në Mitrovicë./KSP/