Arbëri

PDK-ja e cilëson kundërthënës koncesionimin e një prone komunale në Prizren

Foto: Koha / ilustrim

Dega e PDK-së në Prizren ka vlerësuar kundërthënës vendimin e Kuvendit të Komunës mbi hyrjen në koncesion të pronës komunale në zonën e quajtur “Qendra e Re” të miratuar dhe bazuar në propozimin e kryetarit të Komunës. Drejtues të kësaj dege, të premten, kanë theksuar se vendimi në fjalë u shërben individëve të caktuar dhe jo interesit publik.

Kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, ka theksuar se kjo parti në fund të shtatorit ka reaguar lidhur me këtë rast që asokohe ka qenë në zhvillim e sipër dhe që ditë më parë në seancën e KK-së “pas 3 tentimesh për t’u kontrabanduar, më në fund edhe është votuar”, shkruan sot Koha Ditore.

“Për çka në fakt bëhet fjalë? Me datë 14 shtator 2019, lideri i VV-së, z. Albin Kurti, e ka vizituar ndërmarrjen ‘’Sopaj’’ dhe për këtë vizitë në faqen e tij në FCB, është publikuar edhe një video, e cila i paralajmëron zhvillimet që do të pasojnë. Ky është edhe një fakt se kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, nuk është i pavarur në vendimmarrjen e tij, dhe sidomos për vendime të mëdha është i dirigjuar nga lideri i VV-së z. Albin Kurti. Qysh atëherë po përgatitej terreni për atë që ndodhi, ku në seancën e fundit të KK-së, me datë 11 nëntor 2019, u votua ky vendim kontrovers”, ka thënë Totaj, gjatë një konference për media.

Ai ka theksuar se ky vendim që, sipas tij, është kontrovers, është votuar vetëm nga pozita, ndërsa opozita ka votuar kundër. “Vetvetiu ky është një indikator, se ky propozim nuk ka qenë me rëndësi dhe me interes publik, por mund të ketë qenë me interes, vetëm për grupe të caktuara të disa individëve”, është shprehur Totaj. Lideri i PDK-së në Prizren ka pohuar se ky vendim i mundëson hyrje në koncesion të pronës komunale, dhe i jep të drejtë kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, që të negociojë me një biznes privat, për ndërtim, në një zonë të shtrenjtë në Prizren.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)