Sindikata e akuzon Komunën e Klinës për diskriminim të punëtorëve

Sindikata e akuzon Komunën e Klinës për diskriminim të punëtorëve

Ilir Osmanaj 13 November 2019 11:30

Drejtoria e Financave në Komunën e Klinës ka vendosur t’i shpërblejë me pagesa shtesë katër zyrtarë komunalë, për një punë të Komunës që e kanë kryer gjatë orarit të rregullt të punës e jo jashtë orarit.

Kjo pagesë ka shkaktuar reagime të Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Administratës, dega në Klinë, duke e konsideruar se në mënyrë të njëanshme janë duke u stimuluar disa punëtorë, derisa anashkalohen në tërësi punëtorët e tjerë për angazhimet e njëjta në punën e tyre gjatë orarit të punës, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo sindikatë ka bërë të qartë se nuk është kundër stimulimit të asnjë punëtori brenda Komunës, por fuqishëm është kundër favorizimit të individëve të caktuar në vazhdimësi, si dhe diskriminim dhe trajtim jo i barabartë i punëtorëve të Komunës së Klinës. Muhamet Gashi, shef i Ofiqarisë në Klinë dhe nënkryetar i degës së kësaj sindikate në Klinë, ka sqaruar për “Kohën Ditore” se reagimi i Sindikatës është bërë për pagesat shtesë që janë bërë për disa punëtorë të Komunës, për punën që e kanë kryer brenda orarit të punës.

“Drejtoria e Financave u ka bërë pagesa shtesë disa punëtorëve. Na kemi kërkuar që nëse ka pagesa shtesë, atëherë që të bëhet për të gjithë punëtorët, e jo në mënyrë selektive. Dikujt po e dikujt jo. Ose të gjithëve, ose asnjërit. Dhe këto pagesa nuk kanë të bëjnë për angazhimet jashtë orarit të punës, por brenda orarit të punës. Se kur kryhen punë jashtë orarit të punës është diçka tjetër. Jemi kundër asaj që brenda orarit të punës për kohën e njëjtë të punës për pagat e njëjta të paguhet shtesë. Unë punoj tetë orë dhe jam i obliguar të punoj gjatë orarit punë të Komunës. Dhe gjatë këtij tetorëshi që punoj nuk mund të kem pagesë shtesë”, thotë Gashi. Ai tregon se arsyeja tjetër pse ka reaguar sindikata është se, sipas tij, këto pagesa u janë bërë personave të preferuar të drejtorëve apo të preferuarve të dikujt tjetër brenda Komunës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme