Arbëri

Në Mitrovicë vendoset shtatorja e heroit të kombit Harun Beka

Në Mitrovicë është mbajtur akademi përkujtimore për heroin e kombit Harun Beka, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër.

Kryetari i komunës së MItrovicës, Agim Bahtiri, theksoi se ndihet i nderuar kur merr pjesë në tubime të këtilla përkujtimore, përmes të cilave thotë se kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë dëshmorët tanë në luftën dhe çlirimin e atdheut.

“Të flasësh për Harunin, për punën dhe sakrificën e tij, nuk mund ta përshkruash me fjalë sepse veprat e tij janë më madhështore. Trimëria e Harunit por edhe shumë të tjerëve që nuk janë në mesin tonë, meritojnë respektin më të madh dhe duhet të përkulemi para tyre, andaj ne duhet të bëjmë maksimumin tonë që vendi ynë të zhvillohet tutje. Unë e falënderoj secilin që ka luftuar për lirinë të cilën sot ne e gëzojmë, e veçmas ata që kanë ardhur nga mërgimi për ti dalë zot atdheut siç ishte Haruni jonë”, tha ndër të tjerash Bahtiri.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se angazhimi dhe veprimtaria atdhetare e Harun Bekës datojnë shumë më herët dhe se është i bindur që shokët dhe historianët do ta zbardhin këtë periudhe të kontributit të tij.

“Mitrovica sot i ka ngritur shtatore djalit të vet dhe heroit të Kosovës Harun Bekës. Kjo shtatore do të qëndroj përjetë e mot në mesin tuaj, duke na mbajtur të gjallë kujtimin për Harunin dhe veprën e tij”, tha ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha.

Po ashtu fjalën e mori edhe njëri nga familjarët e Harunit, i cili falënderoi kryetarin Bahtiri për organizimin e kësaj akademie përkujtimore dhe caktimin e lokacionit për vendosjen e shtatores së Harunit.

Kjo akademi përkujtimore është organizuar nën patronatin e kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, ndërsa pas përfundimit të saj në rrethrrotullimin 1, në kryqëzimin rrugor të lagjes “Bair”, është bërë zbulimi shtatores së heroit Harun Beka.