Arbëri

Zjarrfikësit kërkojnë dron nga Komuna e Kamenicës për intervenim ndaj zjarreve

Zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin në pyjet e Meshines, 4 kilometra larg qytetit të Kamenicës.

Por, zëvendëskomandanti i Stacionit të zjarrfikësve në Kamenicë, Sabri Rexha, ka thënë se po të kishin një dron intervenimi do të ishte më efikas, shkruan sot Koha Ditore.

“Kam ecë në këmbë 5 kilometra duke vëzhguar terrenin dhe në rast se do të kishim teknologjinë atëherë do të ishte shumë mirë, sepse do të na e lehtësonte punën. Një qytetar, i cili është edhe fotograf, na ka ndihmuar me dronin e tij dhe kemi vëzhguar terrenin me rastin e intervenimit në pyjet e Meshines. Kemi biseduar me përfaqësuesit e komunës dhe ata janë shprehur të gatshëm që të na ndihmojnë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Për më tepër, ai ka thënë se zjarrfikësit kanë problem edhe me radiolidhjet. “I kemi radiolidhjet, mirëpo nuk janë funksionale por ia dalim dhe komunikimin e bëjmë me telefona mobilë. Sepse radiolidhjet nuk funksionojnë këtë perimetër ku jemi, nuk ka lidhje të komunikimit, sepse repetitori nuk është funksional tash e 5 vjet. Repetitori e bën shpërndarjen e valëve të radiolidhjes”, ka thënë Rexha.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)