Arbëri

PDK-ja në Prizren insiston se fara e grurit të shpërndarë për fermerët është nga Serbia

Përplasjet ndërmjet ekzekutivit komunal të Prizrenit dhe opozitës rreth origjinës së farës së grurit që i është shpërndarë fermerëve në bazë të thirrjes publike të Drejtorisë së Bujqësisë po vazhdojnë.

Në këtë debat është përfshirë edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i cili ka theksuar se opozitarët joparimorë po vazhdojnë me shpifje, dhe i ka quajtur ata analfabetë me diploma që kanë nevojë për kurse për shkrim-lexim dhe për gjeografi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërsa koordinatori i degës së PDK-së në Prizren, Jeton Bytyçi, të mërkurën, ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve të Haskukës, duke insistuar se fara e grurit të shpërndarë për fermerët ka origjinë nga Serbia.

“Para televizioneve, sa për të bërë ‘filma’, Komuna ka shpërndarë thasë me mbishkrime gjoja nga Kroacia, mirëpo pas kamerave, kanë shpërndarë farën me tiketë Novi-Sad-Serbia. Këtë të vërtetë nuk mund ta mohojë askush”, ka thënë Bytyçi, duke pohuar se në rrjetet sociale ka publikuar dëshmi përmes fotografive. Ai ka theksuar se ka dëshmi të reja, “ku shihet komplet thesi me mbishkrimin real” dhe vlerësimin për të vërtetën në këtë rast ua ka lënë qytetarëve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)