Arbëri

Shkollat e Ferizajt përballen me mungesë të librave

Një pjesë e madhe e nxënësve nëpër shkolla të Komunës së Ferizajt po vazhdojnë të përballen me mungesë të librave.

Në Komunë kanë thënë se sivjet janë regjistruar një numër i madh i nxënësve nga komunat e tjera, ndaj po presin që MASHT-i t`i sjellë edhe një sasi tjetër të librave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me gjendje më të rëndë janë nxënësit e shkollës fillore “Gjon Serreçi” në qytetin e Ferizajt, derisa në klasat e II-ta dhe VI-ta mungojnë librat e matematikës dhe të gjuhës shqipe. Drejtori i kësaj shkolle, Nazmi Heta, ka kërkuar nga Komuna dhe MASHT-i t’ia sigurojnë së paku 2 mijë libra për nxënësit pasi që në shtator nuk ka ardhur sasia e kërkuar sipas regjistrit. "Ndërkohë kemi marrë premtime edhe nga Ministria se së shpejti do të bëhet kompensimi i tyre, mirëpo deri tashti nuk ka lëvizur asgjë konkrete”, ka thënë Heta.

Shkollat e kësaj komune gjatë këtyre ditëve janë vizituar edhe nga aktivistët e OJQ-së “Avonet” të cilët kanë konstatuar se komuna ka keqmenaxhuar shpërndarjen e librave nëpër institucionet shkollore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)