Arbëri

Vendoset gurthemeli për ndërtimin e tri klinikave shëndetësore në Kamenicë

Në Kamenicë gjatë ditës sotme është bërë vendosja e gurthemelit të ndërtimit të Klinikës së Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Urgjencës, projekt ky i cili u vlerësua si shumë i nevojshëm për qytetarët e kësaj ane.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati duke folur për rëndësinë e këtij investimi, tha se përreth 30 vjet qytetarët e Kamenicës nuk i kanë pasur shërbimet gjinekologjike, teksa bëri të ditur se edhe stafin shëndetësor do të sigurojnë.

“Komuna e Kamenicës për 30 vite nuk ka pasur mundësitë të ofrojë shërbime gjinekologjike. Ky donacion është prej popullit të Kuvajtit të cilët i falënderoj shumë dhe zoti i shpërbleftë. Jemi në fazën e përfundimit të memorandumit me ShSKUK që një gjinekolog të jetë vazhdimisht këtu prej ShSKUK-së dhe pjesa tjetër e stafit të jetë obligim komunal”, tha Kastrati.

Ndërtimi i këtyre shërbimeve shëndetësore u mundësua nga shteti i Kuvajtit, përfaqësuesi i të cilit Mahmud Al Najadi tha se ndihmat e tilla janë një strategji e tyre për t’i ndihmuar njerëzve në nevojë.

“Populli i Kuvajtit është popull që ndihmon gjithë botën, dhe juve në Kosovë. Kjo është një strategji e udhëheqësit tonë për t’i ndihmuar njerëzve në nevojë, përgjithësi në botë, e posaçërisht në Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, projekti pritet të kushtojë rreth 250 mijë euro dhe do të përfundojë pas dy muaj e gjysmë.