Nxënësit e Busavatës e bojkotuan procesin mësimor, prindërit kërcënojnë me radikalizim të protestës

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 14 October 2019 19:59

Banorët e fshatit Busavatë të Kamenicës janë mbledhur sërish në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina” për të protestuar.

Këtë të hënë, madje, nuk është zhvilluar as procesi mësimor, raporton KTV.

Banorët e këtij fshati vazhdojnë të mos pajtohen me vendimin e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit, lidhur me reformat në arsim.

Kësaj proteste iu bashkuan edhe disa qytetarë të cilët kishin ardhur nga Sllovenia, e të cilëve një vendim i tillë iu dukej tragjik.

Ata kanë kërkuar edhe nga kompania e cila është kontraktuar për t’i bartur nxënësit në shkollë që të mos vijë edhe një herë në këtë fshat. Po ashtu, kanë paralajmëruar protesta të tjera gjatë kësaj jave.

E përmes një përgjigje me shkrim, drejtoresha e arsimit në komunën e Kamenicës, Mirhane Morina, ka thënë se nuk janë të informuar për protestën, dhe se për bojkotin e mësimit nga nxënësit do t’i drejtohen Gjykatës.

“Komuna e Kamenicës, më saktë Kryetari i saj z. Qëndron Kastrati, ka marrë Vendim për riorganizimin e sistemit arsimor në Kamenicë. Nuk kemi informatë lidhur me protestën e banorëve të kësaj zone. Përndryshe, bojkoti i mësimit nga ta është bërë që nga 2 shtatori, kur edhe ka filluar viti shkollor, me ç`rast nxënësit nuk kanë vijuar mësimin në ShFMU “Fan S. Noli”, që është caktuar nga Komuna si zonë e mbulimit për nxënësit e këtij fshati me vendim.

Komuna ka bërë përpjekje që përmes diskutimeve me banorët dhe prindërit, të cilët janë takuar disa herë, t`ia bëjë të njohura përparësitë e riorganizimit të sistemit arsimor për nxënësit. Sipas Ministrisë, nxënësit rrezikojnë të humbin vitin. Neve nuk na mbetet rrugë tjetër përpos t`i drejtohemi Gjykatës, për shkak se Ligji përcakton që shkollimi i obligueshëm është përgjegjësi e përbashkët e komunave, prindërve dhe jo vetëm. Qëndrimi mbi riorganizimin e arsimit në Komunën tonë është i pandryshueshëm dhe është një nga çështjet ku nuk ka kompromis”, ka thënë Mirhane Morina, U.D e Drejtorit të Arsimit , Kamenicë.

Banorët e këtij fshati, muaj me radhë, janë duke protestuar kundër reformave në arsim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme