Në Prizren pa opozitën miratohet buxheti për vitin 2020, Kuvendi shmang zgjedhjet

Arbnora Luta Arbnora Luta 10 October 2019 21:05

Një ditë pasi kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, paralajmëroi për rrezikun se Kuvendi Komunal i kësaj komune mund të shkojë në zgjedhje shkaku i mosfunksionimit, është miratuar buxheti për vitin 2020.

Buxheti prej më shumë se 50 milionë eurosh u miratua në mesin e shumë kritikave dhe pa opozitën, raporton KTV.

Asamblistë të Nismës dhe PDK-së bojkotuan sërish mbledhjen e Kuvendit Komunal këtë të enjte.

Buxheti u miratua pasi për të votuan një këshilltar komunal i Nisma-s dhe një i AAK-së.

Shefi i asamblistëve të PDK-së, Simir Krasniqi, akuzoi Komunën se buxhetin e projektoi vetëm për lokacionet ku janë votuesit e Vetëvendosjes dhe përjashtoi kërkesat e tyre për investime.

Për më tepër, sipas tij, mbledhja ishte e jashtëligjshme.

Por, zyrtarët komunalë thonë se buxheti është përpiluar pa dallime partiake dhe pas disa dëgjimeve publike.

Muajin e kaluar, Prizreni dështoi ta miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm pasi mbledhja e Kuvendit Komunal ishte bojkotuar nga opozita e cila është shumicë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme