Arbëri

Inspeksioni në Drenas rrënon një objekt pa leje që po ndërtohej në tokën bujqësore

Komuna e Drenasit njofton se ka rrënuar një objekt pa leje, që ndodhej në tokë bujqësore.

Në njoftimin për media, bëhet me dije se Inspektorati i Komunës së Drenasit ka realizuar një aksion për rrënimin një objekti të ndërtuar në tokë komasative (bujqësore).

“Në bashkëpunim me Stacionin Policor të Drenasit, sot Inspektorati ka ndërmarrë aksionin duke rrënuar objektin e ndërtuar pa leje, konkretisht, objekti që ndodhej në zonën kadastrale Sankoc, në afërsi të rrugës magjistrale “Autostrada M9”, Komoran”, thuhet në njoftimin për media.

“Inspektorët me datën 09.08.2019 palës i kishin ndërprerë punimet në ndërtimin e objektit duke i vendosur shenjën zyrtare. Ndërsa, me datën 14.08.2019, të njëjtit i është lëshuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve në tokën komasative. Me datën 18.08.2019, pala nuk ka respektuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve, duke e larguar shenjën dhe kishte vazhduar ndërtimin”, thuhet më tej aty.

Gjithnjë sipas njoftimit, me datën 19.09.2019, për herën e tretë, palës i është rivendosur shiriti dhe i është lëshuar aktvendimi për rrënim.

“Përkundër këtij aktvendimi, pala ka vazhduar ndërtimin, duke mos përfillur asnjë urdhër të inspektoratit. Në këtë formë, meqë pala ka vepruar kundërligjshëm, me datën 01.10.2019, palës i është lëshuar urdhri për ekzekutimin e rrënimit të objektit, ku është njoftuar se sot, në ora 09:00, do t’i rrënohet objekti”, thuhet në njoftim.

Komuna e Drenasit, thotë se ka ftuar të gjithë personat fizikë e juridikë, të mos ndërmarrin asnjë veprim për ndërtime pa leje, sidomos ata në prona komasative. Komuna falënderon qytetarët që kanë respektuar ligjin dhe rekomandimet e saj, të bazuara në ligj rreth ndërtimeve.