Arbëri

Kisha Protestante në Kosovë akuzon Kishën Ortodokse Serbe se ka gisht në dëmtimin e pllakës në Gjilan

Policia Regjionale e Gjilanit është duke zhvilluar hetime rreth dëmtimit të pllakës e cila shënjonte varrezat e komunitetit protestant dhe në bazë të hetimeve të cilat janë zhvilluar, dyshohet se pllaka është rrëzuar nga era dhe nuk ka indikacion se është dëmtuar qëllimisht.

Mirëpo Zyra Qendrore e Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës insiston se pllaka e tyre është dëmtuar qëllimisht duke thënë se ka edhe prapavijë fetare e për këtë kanë akuzuar Kishën Ortodokse Serbe, raporton “Koha Ditore”.

Pastori Femi Cakolli deklaron se është Kisha Ortodokse Serbe e cila kishte kundërshtuar vendosjen e pllakës e cila shënjon hapësirën për varrezat e komunitetit protestant meqë kishte pasur pretendime se hapësira i takonte komunitetit ortodoks.

Pavarësisht se nuk ka asnjë të arrestuar në këtë rast, Cakolli akuzon Kishën Ortodokse Serbe se është duke tentuar që të ndalojë funksionalizimin e hapësirës për komunitetin protestant duke vlerësuar se pllaka është dëmtuar për këtë arsye. E cilëson si vandalizëm dëmtimin e pllakës.

“Indikacion është që Komuna mundet me konfirmu se në momentin kur e kanë vendosur pllakën për përdorim për varrezat e komunitetit tonë, është Kisha Ortodokse Serbe e cila ka qenë kundër. Ata janë duke penguar më shumë dhe ata janë goxha mjeshtër me hedh guri dhe ne mu përplas. Gjatë kohës së Mbretërisë serbo-kroate–sllovene dhe gjatë kohës se komunizmit në atë pjesë janë varrosur komuniteti protestant. Por serbët ortodoksë, duke u munduar që të uzurpojnë sa më shumë hapësira dhe çdo kohë mundohen që të shlyejnë gjurmët... dhe çështja është më e thellë. Më shumë dyshoj se këta janë dhe alibia është tek ata sepse vetëm këta e kanë kundërshtuar deri tash”, ka thënë ai për “Kohën Ditore”.

Image

Ai ka hedhur poshtë versionin e policisë se pllaka e tyre është rrëzuar nga era ngase sipas tij nga era nuk ishin rrëzuar edhe dy pllakat tjera që i takojnë komuniteti katolik dhe atij hebre.

“Janë edhe pllakat tjera të cilat janë afër nesh, të cilat era nuk mundet t’i rrëzojë dhe shihet se prej dhunës poshtë është copëtuar mermeri. Dikush po thotë se përse nuk i kanë rrezuar ato dy po e kanë rrëzuar vetëm pllakën tuaj, mirëpo ajo është rrethanë dhe ndoshta nuk kanë arritur që të thyejnë edhe ato dyja. Tash e 1 javë është që është thyer dhe kemi prit që po dalin me një version zyrtar mbas hulumtimeve, por nuk e kanë bërë. Për ne ky është një vandalizëm i qëllimshëm”, është shprehur Cakolli.

Mirëpo Komuna e Gjilanit përjashton mundësinë që pllaka të jetë dëmtuar qëllimisht. Nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, deklaron se i beson raporteve të Policisë së Kosovës ku nuk ka indikacione se pllaka është dëmtuar qëllimisht. Thotë se Kisha Ortodokse kishte shprehur pakënaqësi për vendosjen e pllakës për komunitetin protestant në varrezat e qytetit me pretendimin se ajo pjesë i takonte komunitetit ortodoks.

“Nuk është e vërtetë që është bërë qëllimshëm dhe raportet e policisë flasin diçka më ndryshe. Komuna e Gjilanit me vendim të veçantë nuk ka ndarë pronë për asnjë komunitet sepse varrezat janë të qytetit dhe janë për të gjitha komunitetet. Nuk kemi asnjë reagim nga Kisha Ortodokse të paktën zyrtarisht përveç një shqetësim që kanë në raport me lokacionin ku është vendosur pllaka sepse ata pretendojnë se janë varreza të tyre”, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq në përgjigjen e Policisë Regjionale të Gjilanit thuhet se pllaka është rrëzuar dhe se ata janë marrë me hetimin e rastit.

“Me 19 shtator 2019 në rrugën ‘Isa Boletini’ në Gjilan, te varrezat e qytetit, ankuesi shqiptar, shtetas i Kosovës, njëherësh përfaqësues i Kishës Protestante në Gjilan, ka raportuar se në lokacionin e ndarë për varrezat e komunitetit protestant është dëmtuar pllaka identifikuese që tregon këtë lokacion. Në këtë lokacion nuk ka persona të varrosur, gjersa pllaka identifikuese dyshohet se është rrëzuar. Pllaka nuk është e dëmtuar. Në vendngjarje ka dalë njësia e krim-teknikës në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan e cila ka bërë vendshqimin për hetimin e mëtejmë të rastit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe urdhëron që rasti të procedohet për hetim të mëtejme”, ka thënë Policia në përgjigjen e saj dërguar gazetës.

Për këto akuza, gazeta ka tentuar që të marrë edhe një prononcim nga pala tjetër që është Kisha Ortodokse Serbe në Gjilan, mirëpo në Kishë nuk ka qenë i pranishëm asnjë përfaqësues i këtij institucioni fetar. Një person i cili është gjendur në oborrin e Kishës i ka deklaruar gazetës së priftërinjtë kanë përfunduar orarin e tyre dhe se nuk gjendeshin në Kishë.