Arbëri

Masa disiplinore ndaj mësimdhënësit që rrahu nxënësin në një shkollë fillore në Greme

Komuna e Ferizajt ka marrë masa ndaj mësimdhënësit Xh.T. për ushtrim të dhunës fizike ndaj një nxënësi të shkollës “Enver Topalli” në Greme.

Në reagimin e postuar në Facebook, komuna thotë se pamjet që qarkulluan sot në media ku shfaqej një video incizim ndërsa ushtrohej dhunë fizike nga mësimdhënësi me inicialet Xh. T ndaj një nxënësi të shkollës fillore të mesme e ulët “Enver Topalli” në fshatin Greme “janë të papranueshme, të dënueshme, larg standardeve e traditës së sjelljes nga stafi i mësimdhënëse ndaj nxënësve”.

“Komuna e Ferizajt, përkatësisht Kryetari i Komunës, Agim Aliu dhe drejtori i arsimit, Afrim Llabjani dënojnë këtë incident, me ç'rast njoftohen edhe qytetarët se pas marrjes së informatave të plota lidhur me rastin, Drejtoria e Arsimit, menjëherë ka nisur procedurën disiplinore dhe veprimet e tjera të parapara me ligj në rastet e tilla ndaj mësimdhënësit të lartcekur”, thuhet në reagimin e Komunës, raporton Koha.net.

“Këto pamje flasin qartë për nevojën e reformimit të thellë të sistemit tonë arsimor dhe si të tilla, janë të papranueshme për pushtetin lokal dhe të gjithë qytetarët që i kanë besuar fëmijët e tyre sistemit arsimor publik”, ka përfunduar Komuna e Ferizajt.