Ndahen afër 1 milion euro për 4 projekte mjedisore në Kamenicë

Ndahen afër 1 milion euro për 4 projekte mjedisore në Kamenicë

12 September 2019 15:35

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot në Kamenicë, së bashku me kryetarin Qëndron Kastrati ka nënshkruar 4 memorandume për financimin e 4 projekteve që këtë vit do të realizohen në këtë komunë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Rregullimi i shtratit të lumit Desivojcë - Shipashnicë në vlerë 700.000 euro, granti “Ta pastrojmë Kosovën”, në vlerë 150.000 euro, administrimi i banesave në bashkëpronësi, në vlerë 50.000 euro si dhe pastrimi i zonave emergjente dhe kritike në vlerë 10.000, janë 4 projekte tjera që MMPH po i financon në Kamenicë krahas edhe 3 projekteve tjera që janë në realizim e sipër me financimin e MMPH-së”, deklaroi Matoshi.

Matoshi me këtë rast u shpreh i lumtur që me këto projekte siç tha ai po arrijnë që të rrisin nivelin e mirëqenës së qytetareve të kësaj komune, të lënë anash nga qeveritë e kaluara.

“Këto projekte në vlerë totale prej 910.000 euro që do të financohen plotësisht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe do të implementohen nga Komuna e Kamenicës, do të përmirësojnë kushtet e jetesës për banoret e komunës”, vlerësoi Matoshi.

Matoshi u shpreh optimist që procedurat e tenderimit dhe kontraktimit të përfundojnë sa më shpejt dhe të fillojnë punët në këto projekte.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme