Arbëri

Moti i lig dëmtoi dy shtylla elektrike e 7 vetura në Gjilan

Pas reshjeve dhe erërave të fuqishme, të cilat kanë përfshirë të mërkurën Komunën e Gjilanit, është bërë publik edhe bilanci i dëmeve. Sipas Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, janë dëmtuar dy shtylla elektrike dhe shtatë vetura dhe ka dëmtim të tezgave në afërsi të fshatit Përlepnicë. 

Drejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Sami Spahiu, tha se në disa raste ka intervenuar edhe njësia e zjarrfikësve, që ka ofruar shërbimet e saja në largimin e disa pengesave, shkruan sot Koha Ditore.

Ai tha se qytetarët të cilët kanë pësuar dëme duhet të lajmërohen në komunë me qëllim të vërtetimit të dëmit, i cili u është shkaktuar. 

“Deri tash, sipas zyrtarëve dhe inspektorit të fatkeqësisë natyrore, janë dy shtylla elektrike të dëmtuara, një kabllo e kompanive të internetit, shtatë vetura dhe do tezga në afërsi të fshatit Përlepnicë, që janë rrëzuar dhe janë dëmtuar pak. Nuk ka pasur vërshime. Edhe nga Njësia e shërbimit të zjarrfikësve ka pasur 4 intervenime dhe largimin e shtyllës në Arbëri, largimin nga rruga të një kablloje, dhe një lisi që është rrëzuar pranë një kafiterie dhe shërbim te një shtëpi në një orë elektrike. Dëmet janë të natyrave të ndryshme dhe ka edhe të kulturës bujqësore. Kërkesa kemi pasur nga palët të cilët lajmërojnë rastin sepse u duhen vërtetime për konstatim të gjendjes”, ka thënë ai. 

Sipas drejtorit Spahiu, komuna nuk posedon fond për kompensim të dëmeve në këtë aspekt dhe në rast se konstatohet se ka dëme të mëdha, atëherë ajo i drejtohet Qeverisë së Kosovës për kompensimin e tyre.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)