Arbëri

Komuna e Vitisë inicion hetimet për katër zjarre, të cilat po vlerësohen si të qëllimshme

Qeverisja komunale ka njoftuar për 4 raste të zjarrvënieve të qëllimshme, të cilat kanë ndodhur nëpër fshatrat e kësaj komune që kanë përfshirë edhe një sipërfaqe të fushave dhe maleve por edhe të cilat kanë kërcënuar direkt edhe pasurinë dhe jetën e njerëzve.

Për këto zjarrvënie të qëllimshme janë iniciuar edhe hetimet. Drejtoria për Shërbime Publike ka apeluar tek banorët që të mos ndezin zjarret me pretendimin se në këtë mënyrë pastrohen pronat e tyre nga mbetjet, ngase në realitet janë duke u prodhuar pasoja negative, shkruan Koha Ditore.

“Duke iu referuar katër rasteve të fundit të zjarrvënieve në fshatrat: Zhiti, Gjylekar, Letnicë Kllokot dhe Viti, DSHPE-ja u bën thirrje publike të gjithë qytetarëve që në asnjë mënyrë të mos ndezin zjarre në vende të hapura në pronat private, me mendimin se po bëjnë pastrim të mbetjeve nga të shirat e tyre. Rastet e fundit kanë dalë nga kontrolli duke shkatërruar sipërfaqe të tëra të fushave, maleve dhe plantacioneve të mbjella me pemë, objekte afariste dhe hapësira tjera duke kërcënuar direkt pasurinë dhe jetën e njerëzve”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Gjithashtu qeverisja komunale apelon për kujdes të shtuar me bombolat e gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, të cilat përdoren nga banorët. Dhe është kërkuar edhe bashkëpunim nga qytetarët që të denoncojnë ata të cilët iniciojnë zjarret në mënyrë të qëllimshme...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)