Banorët e Stan Tërgut kundër mbulimit të kalldrëmit me asfalt, opozita e quan skandal

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 09 August 2019 19:46

Asfaltimi i kësaj rruge në fshatin Stan Tërg të Komunës së Mitrovicës, ka nxitur shumë reagime.

Kjo për shkak se një pjesë ka qenë e shtruar me kalldrëm e që, sipas banorëve, po konsiderohet si humbje e trashëgimisë.

Indrit Ferati, një i ri nga Mitrovica, ishte i pari që shpërndau një fotografi të rrugës në Facebook.

Më tutje, ai ka treguar se së bashku me banorë të tjerë të kësaj pjese, e kanë në plan që të nisin edhe një peticion kundër asfaltimit.

E për disa qytetarë, edhe më shqetësuese është cilësia e dobët e asfaltimit.

Derisa opozita në këtë komunë e ka quajtur këtë veprim skandaloz, zyrtarë komunalë kanë thënë që asfaltimi i asaj pjese është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.

Faruk Mujku, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës ka thënë që Ministria nuk ka kontaktuar asnjëherë me komunën për rregullimin e asaj rruge.

Ministria e Infrastrukturës ka thënë që kjo është bërë me kërkesë të banorëve, si dhe është konstatuar se rruga ka qenë tërësisht e degraduar.

“Ky vendim është marrë nga menaxheri kompetent, pas kërkesës së banorëve dhe konstatimeve se rruga është tërësisht e degraduar. Në të njëjtën kohë, asfaltimi është vazhduar edhe për këtë pjesë, me qëllim të evitimit të pengesave në lëvizjen e lirë dhe rritjes së sigurisë në trafikun rrugor. Ju njoftojmë, sipas mbikëqyrësve të rajonit të Mitrovicës, se e tërë pjesa tjetër e rrugës, deri te ky 263-metërsh, është asfaltuar qysh para luftës, mbi kalldrëmin ekzistent”, ka thënë Ministria e Infrastrukturës.

Kjo rrugë, si dhe disa shtëpi ne këtë fshat, mendohet se janë ndërtuar nga anglezët gjatë viteve të ‘30-a.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme