Arbëri

Fillojnë punimet për pastrimin e shtratit të lumit në Sllovi

Descriptive Text

Të premten është përuruar fillimi i punimeve të projektit “ Pastrimi i shtratit të lumit Sllovi”, në vlerë prej 200 mijë euro.

Me këtë rast, ministri në dorëheqje i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka thënë se qytetarët e Sllovisë meritojnë mbështetje nga qeveria dhe komuna për kushte më të mira mjedisore për të jetuar.

“Sot këtu po fillojmë segmentin mbi 500 metra të gjatë që përfshinë pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumit. Të gjitha projektet në Lipjan që i fillojmë sot kapin vlerën rreth 1 milion euro. Po ashtu kemi edhe projektin tjetër të lumit Sitnica, që ka vlerën 1 milion euro. Pra, janë gjithsej dy milionë euro që MMPH-ja i ka të kontaktuara këtë vit në Lipjan”, tha.

Ndërsa kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti falënderoi ministrin Matoshi për mbështetje të komunës duke vlerësuar se këto projekte janë të domosdoshme për përmirësimin e mjedisit dhe mirëqenies se banorëve të kësaj ane.

“Projekti në Sllovi është investim i qëlluar dhe do të ketë ndikim pozitiv. Ky projekt ka filluar më herët, por në mungesë të mjeteve nuk ka arritur të përfundohet”, tha Ahmeti.