Arbëri

MIT sqaron pse po asfaltohet rruga mbi kalldrëm në Mitrovicë

Reagime të shumta pati gjatë ditës së djeshme se në Stan Tërg të Mitrovicës, një qytezë e gurit me bujtina e kalldrëm, po shkatërrohet nga Ministria e Infrastrukturës duke e asfaltuar.

E kjo Ministri, ka reaguar sot përmes një njoftimi për media duke thënë se ndërhyrja e tyre është bërë pas kërkesës së banorëve.

“Në bazë të planifikimit vjetor të menaxherit rajonal nga drejtoria e menaxhimit të rrugëve, planifikim ky në të cilin përfshihen të gjitha nevojat dhe kërkesat e banorëve, është paraparë asfaltimi i 263 metrave të mbetur të rrugës rajonale 22 kilometërshe R129, Mitrovicë – Bajgorë – Bicel. Ky vendim është marrë nga menaxheri kompetent, pas kërkesës së banorëve dhe konstatimeve se rruga është tërësisht e degraduar. Në të njëjtën kohë, asfaltimi është vazhduar edhe për këtë pjesë, me qëllim të evitimit të pengesave në lëvizjen e lirë dhe rritjes së sigurisë në trafikun rrugor”, thuhet në reagim.

MIT thotë se “Ju njoftojmë, sipas mbikëqyrësve të rajonit të Mitrovicës, se e tërë pjesa tjetër e rrugës, deri tek ky 263 metërsh, është asfaltuar qysh para luftës, mbi kalldrëmin ekzistente”.