Arbëri

Projekti i komunës së Ferizajt për “bashkimin e qytetit” sjell pakënaqësi mes qytetarëve

Ka rreth një vit qëkurse kanë filluar punimet në projektin e titulluar ‘Bashkimi i Qytetit’ në Komunën e Ferizajt, por të njëjtat janë ndalur ditëve të fundit.

Qytetarët ankohen se qyteti është ngufatur nga ky projekt, derisa po kanë vështirësi në komunikacion, raporton KTV.

Ata ankohen se punimet po ndodhin në kohën kur vendin po e vizitojnë bashkatdhetarët.

E shqetësuar me këtë projekt është edhe shoqëria civile në Ferizaj, që thotë se Komuna nuk po i bën publike detajet se si po punohet në këtë projekt.

E projekti po shoqërohet me shumë parregullsi, edhe sipas opozitës. Derisa edhe opozita, njëjtë si qytetarët, vlerëson se qyteti po bllokohet edhe më shumë nga këto punime.

Në Komunën e Ferizajt nuk kanë pranuar të prononcohen për televizionin se kur pritet të përfundojë ky projekt, derisa edhe Raporti i Auditorit ka gjetur shkelje në kuadër të punimeve.

Për të shprehur pakënaqësinë lidhur me gjendjen e rrugëve në Ferizaj, Lëvizja Vetëvendosje, të dielën ka organizuar një aksion simbolik.

Projekti i quajtur “Bashkimi i qytetit”, pritet t’i kushtojë Qeverisë së Kosovës mbi 4.5 milionë euro, derisa punimet në të pritet të përfundojnë brenda dy vjetëve.