Arbëri

Kundërshtohet devijimi i rrjedhës natyrale të lumit: Pa Erenik s’ka Junik

‘’Pa Erenik s’ka Junik’’, ‘’Ereniku jetë për Junikun’’, ‘’Mos m’le pa ujë’’.

Me këto e të tjera slogane, banorët e Komunës së Junikut protestuan kundër ndryshimit të rrjedhës së lumit Erenik dhe rrezikut që Juniku të mbetet pa ujë për pije dhe ujitje.

Agron Kuçi, kryetar i kësaj komune, i quan të paligjshme vendimet e institucioneve

për shfrytëzimin e rrjedhës së lumit Erenik për furnizim me ujë të pijes, për disa fshatra të Gjakovës.

Kuçi tha se as Qeveria e as Komuna e Gjakovës, nuk po i respektojnë pasuritë natyrore të këtij qyteti.

Sipas tij, Komuna e Junikut ka ofruar mundësi të shumta për ujë të pijes për fshatrat e Gjakovës, por, sipas tij, institucionet nuk kanë dashur të dëgjojnë për këto mundësi.

Kuçi, njëherësh, i bëri thirrje edhe kryeministrit të Kosovës që t’i shfuqizojë ligjet dhe vendimet për liqenin e Erenikut, pasi kjo do të ishte në interes të qytetarëve.

E, qytetarë të Junikut thonë se vendimi për ta ndryshuar rrjedhën e Erenikut i lë ata pa burimin kryesor për pije dhe ujitje.

Ndërsa, kryetari i degës së LDK-së në Junik, Ruzhdi Shehu, tha se shkelja e ligjit për pasuritë natyrore të Junikut paraqet precedent të institucioneve në nivelin lokal dhe qendror.

Banorët, pas protestës, vazhduan të qetë drejt qytezës, derisa paralajmëruan

se do të vazhdojnë pengimin e këtij veprimi që do të lërë Junikun dhe fshatrat e tij pa ujë.