Arbëri

INPO kërkon kthimin e ligjshmërisë në Ferizaj

Organizata INPO, e cila monitoron zhvillimet në Komunën e Ferizajt, nëpërmjet një komunikate ka reaguar kundër vendimit të kryetarit të Komunës së Ferizajt për pezullimin e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Sipas saj, ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe si i tillë shkelë të drejtat e qytetarëve dhe palëve të interesuara për t’u pajisur me leje, të cilën ua garanton Ligji për Nr.04/L-110 për Ndërtim. INPO ka ftuar organet e hetuesisë dhe ndjekjes që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ta kthyer ligjshmërinë në Komunën e Ferizajt, shkruan sot Koha Ditore.

“Sipas këtij ligji, Komuna ka kompetencë të lëshojë leje për kategorinë I dhe II të ndërtimit në përputhje me ligjin dhe dokumentet e planifikimit urban të Komunës dhe në asnjë mënyrë në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet e drejta e pezullimit të dhënies së lejeve për ndërtim me këtë lloj të arsyetimeve. INPO pret publikimin e vendimit për të parë mbështetjen e këtij vendimi në dispozita ligjore, të cilat në këtë rast nuk ekzistojnë. Kaosit urban dhe betonizimit të qytetit u ka kontribuar dhënia e lejeve të ndërtimit pa kritere ligjore dhe pa u mbështetur në dokumente të planifikimit urban, duke mos i plotësuar kërkesat minimale të shëndetit publik, krijimit të hapësirave publike, zonave të gjelbra brenda zonës urbane etj”, thuhet në komunikatën e INPO-s.

(më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)