Arbëri

3 protesta për një muaj kundër hidrocentraleve në lumin Lepenc – ende pa zgjidhje

Herët në mëngjesin e së hënës, këta banorë u mblodhën këtu në këtë vendpunishte, në Shtërpcë.

Por, të qëndrojnë shumë pranë vendit ku është duke u ndërtuar hidrocentrali, e të cilin po e kundërshtojnë, nuk po i lejon Policia e Kosovës, raporton KTV.

Rreth një orë ata kanë protestuar e diskutuar të hënën me zyrtarët policorë në kundërshtim të hidrocentralit, për të cilin thonë se po u shkatërron jetën.

“Lumenjtë tanë nuk janë çfarëdo, por nga ta varemi të gjithë në komunën tonë. Policia këtu na ndaloi e këta janë fermerë që po protestojnë. Ne kemi protestuar më shumë se 3 muaj. Hidrocentralet kanë përparësinë e vet, por në rastin tonë janë të dëmshme, sepse nuk mund të vësh 5 kilometra lumë në gypa”, ka thënë banori Radojica Margjinac.

“Esenca e problemit është në faktin se duam të kemi shtet ligjor, por një grup i vogël e që ka parasysh vetëm profitin e vet, po shkel të gjitha ligjet. Edhe komuna në vitin 2016 solli vendimin që hidrocentrali s’bën të ndërtohet. Qëllimi i protestës sonë është thjesht se këtu shkelet ligji, e këtu është zonë e ujërave të mbrojtura”, ka thënë banori tjetër, Stojan Vasiloviq.

Protestën e vazhduan para Komunës së Shtërpcës, ku kërkuan të takohen me kryetarin, të cilin e akuzojnë se asnjëherë nuk u brengos për shqetësimet e tyre.

Pas gati një orë pritjeje, dy përfaqësues të banorëve pranuan të takoheshin me nënkryetarin Ivica Tanasijeviq, i cili nuk deshi të flasë për KTV-në, por banorëve u tha se kanë mbështetjen e autoriteteve komunale.

Megjithatë, përfaqësuesi i “Matkos Group”, Sherif Uka, ka thënë përmes telefonit se i posedojnë të gjitha lejet për operim dhe protestuesit i ka quajtur viktima të disa personave, e që s’ka të bëjë me dëmtimin e lumit.

“Ka dy vjet që po ndërtohet dhe hidrocentrali është në përfundim, por tash iu ka ra ndërmend të protestojnë, ka ndonjë pretendim tjetër, t’i djegin makineritë e gjuajnë me kallashnikov e nuk ka kurrfarë përgjegjësie ndaj këtij dëmi që po bëhet”, ka thënë ai.

Se ky operator ka leje, e ka konfirmuar ministri i mjedisit, Fatmir Matoshi, i cili

i ka thënë televizionit se ai personalisht ka kërkuar të rishikohet nëse janë zbatuar të gjitha procedurat kur i është dhënë leja kësaj kompanie.