ZRRE-ja ia zgjat afatin “Kelkos-it” për të operuar me hidrocentralet e Deçanit

Luljeta Beselica Luljeta Beselica 12 July 2019 20:21

Janë bërë 5 vjet qëkur këto hidrocentrale operojnë në Lumbardhin e Deçanit.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, ato nuk janë pajisur asnjëherë me leje mjedisore. Këto hidrocentrale, nga shoqëria civile dhe banorët e kësaj ane janë konsideruar të paligjshme dhe është thënë se po e dëmtojnë në masë të madhe ambientin.

Sidoqoftë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk e sheh kështu, raporton KTV.

Në mbledhjen e fundit të bordit të kësaj ndërmarrjeje, është marrë vendim që edhe për tre muaj t’i zgjatet afati i operimit kompanisë Kelkos Energy, derisa ta kompletojë dokumentacionin e nevojshëm.

Bordi ka aprovuar kërkesën e shoqërisë “KelKos Energy”, për shtyrjen e afatit të vendimit edhe për nëntëdhjetë (90) ditë, me qëllim të kompletimit të aplikacionit dhe pajisjes me certifikatën e përdorimit dhe Lejen Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për Hidrocentralet “Belaja” dhe “Deçani”.

Për shoqërinë civile, ky vendim i ZRRE-së është politik, andaj të shtunën ata do të protestojnë në Deçan.

Megjithatë, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, javën e kaluar, gjatë raportimit në Komisionin për Mjedis, ka thënë se është i pafuqishëm në ndaljen e operimit të këtyre hidrocentraleve, duke shtuar që asnjë nga to nuk ka leje operimi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme