Arbëri

Çarshia në shitje

Foto: Alban Bujari / Koha

Tani, lajmi i dhënë po e humb udhën që në krye të Çarshisë. Dikur brenda pak minutash mbërrinte derë më derë deri në fund qindra metra larg. Zejtarët e tregtarët e dyqaneve të vogla përcillnin gojë më gojë lajmin përgjatë rrugës kryesore e rrugicave me kalldrëm.

Së fundmi, lajm për fanatikët e zejeve dhe myshterinjve të rrallë janë bërë vetë zanatlinjtë e dorëzuar, që gjithnjë e më shpesh po ngjitin në kanatat e drunjta letrat e bardha me mbishkrimet e kuqe e të zeza: “Shitet” ose “Lëshohet me qira”.

Madje dikush tregon edhe sa ari i ka dhe se shtëpia ka tarracë. Poshtë, numrat e celularëve. Ka doreza të pluhurosura dyersh, që nuk i ka kapur për javë të tëra dora e njeriut. Në çarjen e njërës prej tyre, inkasanti ka një javë që e ka vendosur faturën e ujit, shkruan Koha Ditore.

“Me m’i dhanë 100 mijë euro, në vend e shes”

Çarshia e Gjakovës, mbase qendra më e vjetër tregtare në Kosovë, është në shitje. “Qe e a po e sheh, katër ari i kam, edhe në vend i shes edhe pse nuk e kam në shitje”, thotë theksueshëm Afrim Kurshimlija, teksa me dorën e djathtë kthehet dhe hap derën e oborrit. Me të majtën, mban biçikletën në rrugën me kalldrëm. “Me m’i dhanë 100 mijë euro, në vend e shes”, shton burri i mbajtur, duke ngulmuar se shumëkush ka gatishmëri ta shesë shtëpinë, edhe pse ende nuk e ka të vendosur mbishkrimin “Shitet”. Ka mbushur, sikur thotë ai, “68 kokrra”, teksa u referohet vjetëve. “Shkruaje lirisht se nuk ka kush që të kundërshton”, thotë Kurshumlija. Në fillim të viteve tetëdhjetë, 280 mijë marka gjermane ia kishte ofruar një blerës, edhe pse nuk e kishte shtëpinë në shitje. Nëna ia kishte kërkuar vendosmërisht ta harronte çfarëdo oferte të leverdishme.

Prapa shpinës së ish-zyrtarit për buxhet në Komunën e Gjakovës, në sy bie ndryshku që ka nisur ta mbulojë drynin e lokalit të vogël me kanatat e mbyllura. “Tash, pesëdhjetë euro me t’i dhanë dikush qira, i je falënderues. Madje i thua: ‘Faleminderit që ma more lokalin’. Çka me dhanë për 20 euro”, thekson Kurshumlija, kryezoti i familjes katëranëtarëshe. Ngjitur me dyqanin e tij, mbyllur është edhe kafeneja me mure të gurta. “Ma shumë rri mbyllur se hapur”, tregon ai, duke shtuar se Çarshia ka pak më shumë zhvillim vetëm në 200-300 metrat e para, ku disa dyqane zejtarësh janë shndërruar viteve të fundit në kafene.

I vogël ka qenë të martën në pikun e zhegut numri i myshterinjve nëpër tarracat e larme, që këputen aty-këtu prej dyqaneve që jepen me qira ose që janë në shitje. Termometri tregon temperaturën prej 41.5 shkallë celsius. Ora porsa ka kaluar dymbëdhjetëshin. Rrobaqepësi Hilmi Bunjaku i ka lënë hapur dy dyert që t’i freskohet sadopak lokali në këndin në formë hajmalie, në rrugën kryesore që mban emrin e Sulejman Hadum Agës, i cili në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë do ta ndërtonte edhe “Xhaminë e Hadumit”, bëhet e ditur në vjegëzën e “Historikut” në uebfaqen e Komunës së Gjakovës. Bunjaku, të cilit edhe gjysh Januzi e babë Sherfedini ia kishin ushtruar të njëjtin zanat, thotë se pakkush po i hyn në dyqan. “Veç thashë të kallxoj se jam me Zhubin”, e ndërpret një shok te dera ballore pasi e sheh duke folur nga karrigia me ekipin e gazetës. Njërën dorë nuk e heq nga koka e makinës së qepjes. Ndërkohë merret me qepjen e copave të bardha prej pëlhure për uniforma kuzhinierësh e furrtarësh, rrëfen fije e për pe historinë e familjes zejtare ndër breza.

“Gjakova është komplet thatë. Gjakova tana herët ka qenë me tregti e me zeje e njohur”, shton burri thinjosh, me shikimin kah tarracat me karrige e dekorime.

Postimi që nxiti reagime

Rrëfimin ia këput për pak Ngadhënjim Haxhosaj, aktivist i njohur i Vetëvendosjes në qytet. Një postim i tij me trembëdhjetë fotografi ka nxitur së fundmi shumë komente në Facebook. “Gjakova në shitje”, e ka titulluar Haxhosaj, i cili ka kryer gazetarinë, por tani ka një kafene, që hapur e mban rregullisht vetëm muajve të dimrit kur organizon ndeja me grupin muzikor “Arshikët”.

“Janë foto që janë bërë rastësisht. Rrugët janë afër njëra-tjetrës dhe distanca e tyre 500-600 metra nga njëra-tjetra. Qe pesë vjet kaloj nëpër këto rrugë, të njëjtat pamje. Nuk ka rrugë që nuk ka disa shtëpi e dyqane në shitje”, ka shkruar Haxhosaj, duke shpjeguar me ironi pse ka ardhur Gjakova në këtë derexhe. “Kështu kur ke plan ekonomik: fabrikat-disko; tokat pjellore-restorante; fushat- asfalt; lumenjtë-kanalizime; punëtorëve-haraç e fajde; kulturën e artin- tallavagjive; arsimin-militantëve; votat-ilakeve e shokëve. Ju ‘lumtë, kështu shkatërrohet një shoqëri”.

Ideal Shala e ka komentuar po me ironi: “S’ka mundësi kështu, a mos i ki ngjit ti”.

Haxhosaj i ka prirë të martën ekipit të gazetës nëpër të njëjtat rrugica e rrugë rreth e përqark Çarshisë. Nëpër zhurmën e sharrës së drunjve para dyqaneve të mbyllura në rrugën “Tahir Efendia”, Haxhosaj tregon emrat e pronarëve që u shtrënguan t’ua kthenin shpinën zejeve të tyre. Pastaj vazhdon përgjatë rrugës me asfalt, “Përmet Vula”, duke treguar njoftimet e shtëpive në shitje, që i ka postuar në Facebook. Brenda dhjetëra metrash, në shitje janë disa sosh.

Haxhosaj fajëson të gjitha pushtetet e pasluftës për gjendjen e Çarshisë. Shenjë e vetme e dukshme e luftës është një objekt dykatësh, i djegur, për të cilin ka kontest ndërmjet Shoqatës Zejtare, Komunës dhe një pretenduesi privat, tregon Haxhosaj. Pamje moderne i është dhënë objektit ngjitur, dikur seli e Lidhjes Socialiste të Gjakovës, tani Qendër Inovative, tregon ai. “Por u është dhënë me qira për zyra bizneseve private”.

“Asnjë pushtet nuk ka bërë ndonjë program ekonomik për me gjallëru Gjakovën”, thekson Haxhosaj, duke treguar në hajatin e Xhamisë së Hadumit fotografitë e Çarshisë së djegur nga regjimi serb.

“Ta kam pru një myshteri?” - i thotë me humor të zi Haxhosaj pronarit të një biznesi që ofron shërbime funeralesh përballë xhamisë së rindërtuar pas luftës. Është ndër të rrallët që punon atypari. “Jo more se i ri koka”, ia kthen pronari, duke vënë theksin mbi r-të. Shpërthejnë në të qeshura. ”Ky ka më së shumti punë”, shton Haxhosaj, që me dorën e djathtë fërkon “mjekrën e Skënderbeut”, sikurse i referohet ai. Merr çehre serioze kur thotë se “gjendja e përgjithshme ekonomike ka ndikim edhe në zhvillimin e Çarshisë”.

“Tash po prodhojmë kafiqa”

“Njerëzit që i kanë dyqanet të mbyllura, shumica janë në Prishtinë”, thekson Haxhosaj përgjatë rrugës “Sulejman Hadum Aga”. “Kjo këtu është e gjyshit të Jerichos”, i referohet frontmenit të grupit “Jericho”, Petrit Çarkaxhiu. I është vënë dryni.

Kurshumlija, ish-zyrtar komunal, thotë në krye të Çarshisë se njëri djalë i punon dhe banon në Prishtinë, përderisa i vogli – i cili hyri në punë në Komunë kur babai i doli në pension – i ka thënë në telefon një natë më parë se po shqyrton mundësinë që të kërkojë azil në Finlandë, ku po qëndron me punë zyrtare.

Dielli, në kupë të qiellit, të përvëlon. Dy të rinj u ikin rrezeve përcëlluese, teksa ulen në hije në pragjet e dyqaneve pasi mbështesin biçikletat për qepenat e drunjtë. Nja dyqind metra tutje, dy riosh të tjerë, Blendi Krabaj e Veprim Bekaj, teksa rrufisin “espresso”, mohojnë pretendimet e shumë të intervistuarve se në Gjakovë është më i theksuar numri i qytetarëve që po largohen nga qyteti dhe Kosova. “Është si në krejt Kosovën”, ngulmon Bekaj. Asnjëri prej maturantëve nuk mendon të largohet. Madje kanë plane që të kryejnë studimet në fushën e biznesit.

Bunjaku, para se t’u bashkohet shokëve që po e presin, e lidh zhgënjimin e tij dhe të zejtarëve të paktë të mbetur, me përqendrimin e kafeneve afër universitetit të Gjakovës, “Fehmi Agani”, në krye të Çarshisë. “Dikur ka qenë e lezetshme Çarshia, sepse i ke pasur komplekse-komplekse zejet”, thekson me çehre të çelur Bunjaku. Përnjëherë ndërron çehren kur fajëson “liderët e këqij për hajni, që edhe thmija po flasin për hajni të tyne, se nuk jemi pa njerëz të mirë”.

“Tash po prodhojmë kafiqa”, thekson fytyrëngrysur plaku, që ka rreth shtatëdhjetë vjet që nuk iu nda makinës së qepjes.

Haxhosaj megjithatë ka shpresë. Mirëpo, thotë se fillimisht duhet të ketë qasje serioze nga institucionet lokale e kombëtare. “Duhet një plan ekonomik, sepse njerëzit e kanë ruajtur me fanatizëm qe njëzet vjet pa e shitur, dhe mund të kthehen”, thekson ai.