Arbëri

Haskuka thotë se Prokuroria po ia shtrembëron deklaratat

Pas reagimit të bërë nga Prokuroria Themelore në Prizren në lidhje me deklaratat e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në emisionin “Puls” të KTV-së se ky i fundit nuk ka paraqitur asnjë kallëzim penal në Prokurori por vetëm i ka dërguar disa njoftime, ka reaguar Haskuka.

Kreu i Komunës së Prizrenit thotë se Prokuroria ka shtrembëruar deklaratat e tij në lidhje me paraqitjen e rasteve.

Ai ka publikuar edhe videon kur flet për këto raste, duke thënë: “Për hir të korrektësisë ndaj opinionit publik, po e publikoj një pjesë të atij emisioni, ku diskutimi është për rastet e dërguara në Prokurori. Në këtë video mund të shihni se e them qartazi që ne i kemi paraqitur Prokurorisë mbi 60 raste për dyshime të keqpërdorimit dhe shkeljeve ligjore. Ndërsa në reagimin e Prokurorisë deklarata ime është shtrembëruar, kinse kam thënë që kemi paraqitur 60 kallëzime penale”.

“Të gjitha këto raste ne i kemi adresuar në Prokurori duke denoncuar parregullsitë e gjetura nga ana jonë, qoftë nëpërmes njoftimeve, kërkesave për nisje të hetimeve, apo edhe kallëzimeve penale. Kjo nënkupton se Prokuroria e Shtetit pas pranimit të informacioneve nga Komuna e Prizrenit është dashur që të iniciojë procedurat për fillimin e hetimeve për secilin rast, mirëpo të njëjtit i kanë trajtuar vetëm disa prej tyre”, thotë Haskuka.

Rastet në fjalë, kryetari i Prizrenit thotë se s’kanë pasur mundësi që të gjitha t’i paraqesin në kallëzime penale, “për shkak të dyshimit se mund të jenë të involvuar më shumë persona që duhet të hetohen dhe në raste të tilla hetimi është kompetencë e organeve të drejtësisë”.

Më tej, Haskuka thotë se Prokuroria po ashtu ka thënë se “Prokuroria Themelore në Prizren, konfirmon se asnjëri prej tri rasteve të përmendura nga z.Haskuka nuk është dorëzuar fare në Prokurori”, duke iu referuar “arkivës elektronike”, aplikacionit “Prizreni i mençur” dhe ngrohtores në Qendrën Rinore, për të cilat Haskuka ka folur në emision.

“Me datën 18 qershor 2018, Komuna e Prizrenit nëpërmjet Drejtorisë së Administratës ka dërguar kërkesë zyrtare tek Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren për t'i hetuar pesë projekte, të cilat i kemi vlerësuar se janë jofunksionale, për shkak se mund të ketë shkelje ligjore apo keqpërdorim të parasë publike, dhe se kjo kërkesë e Drejtorisë së Administratës është dëshmi që tregon për pavërtetësinë e reagimit të Prokurorisë. Këto pesë projekte janë: 1. E-kiosku, 2. Arkiva elektronike e gjendjes civile, 3. Smart City, 4. Zyret e Gjendjes Civile në Gjonaj dhe Lubizhdë të Qytetit dhe 5. Zyrat/sportelet në objektin e administratës”, thotë Haskuka në reagimin e tij.

Në këtë kërkesë, kryetari i Prizrenit ka bërë të ditur gjithashtu se janë të gatshëm për bashkëpunim reciprok ndërinstitucional, duke i ofruar në dispozicion të Prokurorisë të gjitha dosjet që janë në arkivat komunale.

“Për fund, në vend të reagimeve duke shtrembëruar deklaratat e mia të dhëna në emisione televizive, ftoj Prokurorinë edhe njëherë që t'i shqyrtojë seriozisht të gjitha rastet dhe ta kryejë punën me përgjegjësi të plotë”, ka përfunduar Mytaher Haskuka.