Arbëri

Bujqit e Smallushës thonë se autostrada për Gjilan po ua dëmton të mbjellat

Pluhuri që e bëjnë këta kamionë të cilët përshkojnë këtë rrugë çdo ditë, po u bën dëm të mbjellave të banorëve të fshatit Smallushë të Lipjanit.

Shumica e banorëve merren me bujqësi.

Thonë se që kur ka filluar ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan, ata ballafaqohen me këtë problem dhe se askush nuk ndërmerr asgjë, raporton KTV.

Problem tjetër, sipas banorëve, është edhe ushqimi për kafshët që nuk po guxojnë ta shfrytëzojnë.

Pos pronave bujqësore që janë të mbuluara me pluhur, ai po depërton edhe nëpër shtëpitë e banorëve të kësaj ane.

Banorët kanë lajmëruar edhe Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Lipjanit.

Sipas drejtorit të këtij dikasteri, Imer Rrustemi, ata kanë dalë në vendngjarje dhe disa herë e kanë ndalur qarkullimin e këtyre kamionëve.

Ai thotë se ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Infrastrukturës që të gjejnë një zgjidhje për këtë problem, por ata nuk janë përgjigjur.

Përderisa në Ministrinë e Infrastrukturës kanë pranuar që numri i madh i kamionëve që kalon aty, pos që ka dëmtuar rrugën, po krijon edhe shumë pluhur.

Megjithatë, në një përgjigje për KTV-në, shtohet se ky dikaster ka sanuar dy herë rrugën dhe shumë shpejt do të ndërhyjë në të përsëri, me qëllim të evitimit të çfarëdo problemi që po u sjell banorëve, përfshirë edhe krijimin e pluhurit.