Arbëri

Haradinaj përmend dy alternativa për zgjidhjen e qëndrueshme të krizës së furnizimit me ujë në Gjilan

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një takim me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, për të diskutuar për modalitetet e tejkalimit të situatës emergjente me ujin e pijshëm për qytetin e Gjilanit.

Gjilani ka shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, pasi niveli i pendës së Përlepnicës në Gjilan, nga ku furnizohen me ujë qytetarët, ka rënë në 16 metra, nga 30 sa ishte niveli. Thatësia e madhe nga mungesa e reshjeve atmosferike muajve të fundit, ka bërë që niveli i ulët i ujit në këtë pendë të jetë në gjendjen më të ulët në 63 vjetët e fundit.

Haradinaj në Facebook ka thënë se ekzistojnë dy alternativa për furnizimin e rregullt të qytetarëve me ujë të pijes, investimin në mbushjen e ujëmbledhësit të Përlepnicës nga lumi Krivareka ose nga lumi Llapushnik.

“Qeveria e vendit me marrjen e mandatit ka investuar në rindërtimin e Pendës së Përlepnicës, rrjetin shpërndarës si dhe impiantin e ujërave të zeza dhe do të vazhdojë të jetë e fokusuar për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme sa i përket ujit të pijes për komunën e Gjilanit”, ka shkruar Haradinaj.