Arbëri

Në qendër të Gjakovës, tash tre muaj s’po mund të kryhen një kilometër rrjet i kanalizimit

Pluhuri, zhurma dhe shpeshherë pamundësia e qarkullimit të automjeteve, ka tre muaj që po u pengojnë qytetarët në qendër të Gjakovës.

Kjo shkaku i punimeve të cilat janë duke u bërë në ndërrimin e gypave në rrjetin e kanalizimit, përgjatë rrugëve kryesore "Nënë Tereza" dhe "Skënderbeu", raporton KTV.

Qytetarët ankohen se kjo rrugë edhe më tej vazhdon të jetë në gjendje të keqe, ngase punimet po shkojnë shumë ngadalë.

Madje, ata thonë se punëtorët e kompanisë së kontraktuar, e që në numër janë të paktë, nuk punojnë çdo ditë aty.

Sipas tyre, një ditë punojnë e dy ditë të tjera jo.

Thonë se shumë më të mirë dhe me madhësi më të madhe, ishin gypat paraprakë, sesa këta të rinjtë që janë duke u vendosur.

Ankesa kanë edhe bizneset që operojnë përgjatë kësaj rruge. Pronarët e tyre thonë se punimet kanë bërë që të kenë punë më pak.

Por, ka të tjerë qytetarë që po i mirëpresin ndryshimet.

Në Komunë thonë se ditëve të fundit punimet janë duke u bërë me intensitet më të shtuar.

"Punimet në ndërrimin e gypave të azbestit përgjatë rrugëve “Nëna Terezë” e “Skënderbeu”, kanë filluar në mesin e muajit prill dhe këtyre ditëve është duke u punuar me intensitet të shtuar për finalizimin e tyre", ka thënë Nita Efendia, nga zyra e kryetarit të Gjakovës.

Tutje, Efendia ka thënë se brenda dy javëve, punimet do të ndërpriten përkohësisht për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve.

Sipas saj, punimet do të rifillojnë në shtator.