Arbëri

Buxheti i Kaçanikut për vitin 2020 arrin shumën mbi 9 milionë euro

Kryetari Ilazi mbanë takimin e parë me qytetarët kaçanikas- Prezantohet Korniza Afatmesme Buxhetore Komunale- buxheti komunal për vitin 2020 arrin shumën mbi 9 milionë euro.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, mbajti takimin e parë me qytetarë, me të cilët diskutoi punët dhe projektet kapitale, të arriturat dhe sfidat e pjesës së parë të vitit 2019.

Përkushtimi ynë institucional ka vazhduar në rregullimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës shkollore, ka thënë ai, dhe ka shtuar se tashmë janë në proces të përfundimit katër objekte të reja shkollore, ndërsa së shpejti pritet të fillojë ndërtimi edhe i dy të tjerave si dhe ndërtimi i aneksit në Shkollën e Mesme Profesionale. Orientimi ynë ka qenë edhe në kulturë, rini e sport, ku së shpejti pas kryerjes së procedurave të tenderimit, pritet të fillojë projekti i Stadiumit të Qytetit - faza e dytë, përfshirë edhe pjesa e rregullimit të tribunave. Ai përmendi edhe dhjetëra projekte kapitale të cilat këtë gjysmëvit kanë përfunduar, të tjerat që janë në proces si dhe projektet që së shpejti pritet të fillojnë.

Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Bahri Selimi, prezantoi të Draft - kornizën afatmesme buxhetore të Komunës për vitet 2020-2022. Ai tha se për herë të parë që nga paslufta, buxheti i komunës arrin shumën mbi 9 milionë euro.

Nga ana tjetër të pranishmit në debat kërkuan investime të mëtejme në arsim e në veçanti në disa objekte shkollore, rrugë, kanalizime, trotuare, ndriçim publik, mirëmbajtje të ambientit- menaxhim të mbeturinave etj.

Në këtë takim u debatua edhe për Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave të cilën e prezantoi drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca, Ramadush Osmani.