Arbëri

Krasitja e drunjtëve dekorativ në Shtime përplas pozitën dhe opozitën

Descriptive Text

Krasitja dhe mirëmbajtja e drunjtëve dekorativë ka përplasur pozitën dhe opozitën në qytezën e Shtimes. Sipas zyrtarëve komunalë krasitja e drunjtëve dekorativ në qytet është bërë tre muaj më parë, saktësisht më 21 mars të këtij viti nga ekspertët e kësaj fushe, ndërkohë opozita nuk i ka vërejtur deri tash.

Fehmi Hysenaj, këshilltar në KK të Shtimes nga radhët e Nisna Socialdemokrate, nëpërmjet një reagimi ka thënë se është bërë “masakër ekologjike” me drunjtë dekorativ.

“Kush ishte ai që urdhëroi këtë “masakër ekologjike” ndaj drunjëve dekorativ përgjatë rrugës kryesore në Shtime. Ne shquhemi për ekspertë të bujqësisë dhe të bëhet kjo me sharrë është turp”, ka thënë Hysenaj.

Nga ana tjetër Halil Halili, drejtor për Shërbime Publike në komunën e Shtimes, ka reaguar për të sqaruar se drunjtë dekorative janë krasitur tre muaj më parë nga ekspertët e pemëtarisë derisa ka qenë kërkesë e qytetarëve dhe bizneseve. Mirëpo sipas tij, opozita në Shtime nuk i sheh ndryshimet pozitive, madje po reagojnë pas tre muajve duke e treguar nivelin e dobët të interesimit për qytetin e vetë.

“Drunjtë dekorativ janë krasitur më 21 mars nga ekspertët e pemëtarisë nga kompania së kontraktuar. Këtë ua dëshmojmë edhe me fotografi dhe lajmin e publikuar në faqen e komunës tre muaj më parë. Krasitja e tyre është bërë për shkak se kanë penguar rrjetin e energjisë elektrike dhe njëkohësisht kanë penguar bizneset dhe lëvizjen e qytetarëve. Reagimet e opozitës janë të pabazuara duke e treguar nivelin e ulët se nuk i vërejnë ndryshimet pozitive që ndodhin në Shtime”, ka thënë Halili.

Sipas tij, opozita në Shtime gjithmonë po bën reagime vetëm nga syri kritik opozitar, por asnjëherë duke u bazuar në fakte, prandaj çështjen e krasitjes së drunjte do t’ia sqarojnë edhe në mbledhjen e radhës në Kuvend.