Arbëri

Festa e Abetares e SHF “Mihal Grameno”, në mungesë të hapësirës, mbahet në një restorant

425 nxënës të klasave të para të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, kanë shënuar Festën e Abetares.

Por, për dallim prej bashkëmoshatarëve të tyre në mbarë vendin, ata u larguan nga shkolla për ngjarjen e tyre të rëndësishme, raporton KTV.

Disa autobusë i kanë dërguar nxënësit në një restorant në dalje të Prishtinës.

Secili nxënës është dashur të paguajë nga 12.5 euro. Ky organizim i financuar nga prindërit, ka kushtuar 5 mijë e 312 euro.

Sipas organizatorëve të festës, kjo u bë për arsye të hapësirës së pamjaftueshme brenda objektit shkollor dhe me qëllim që fëmijët të mos ngarkohen me mësime.

Ata, po ashtu, kanë thënë se kjo mënyrë është lehtësim për fëmijët.

Kjo iniciativë është përkrahur edhe nga prindërit, të cilët kanë theksuar se kostoja e shpenzimeve është më e ulët.

Kështu, nxënësit, në këtë hapësirë, kanë shënuar Festën e Abetares, me aktivitete të ndryshme.

Ministria e Arsimit ka thënë se kjo nuk është praktikë e zakonshme, porse lejohet nëse e ka pëlqimin e prindërve.

“Me Udhëzimin Administrativ në fuqi, çdo organizim duhet të bëhet brenda ambienteve të shkollës, përveç rasteve kur merret pëlqimi nga ana e prindërve”, ka thënë Valmir Gashi nga MASHT-i.

Shkolla fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, është ndër më të mëdhatë në vend dhe brenda një klase ndodh të mësojnë deri në 40 nxënës.