Arbëri

Komuna e Prizrenit asiston risocializimin e të riatdhesuarve nga komunitetet RAE

Komuna e Prizrenit dhe organizata joqeveritare “Nevo Koncepti” të mërkurën janë pajtuar që të bashkëpunojnë për risocializimin e të riatdhesuarve nga komunitetet Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, përparësi fillimisht do t’i jepet integrimit shkollor të fëmijëve të familjeve të riatdhesuara nga vendet e Evropës Perëndimore, sikurse asistenca për punësimin e të rriturve nga radhët e këtyre komuniteteve.

Me këtë rast, përfaqësues të Komunës dhe të OJQ-së së sipërpërmendur kanë vlerësuar nivelin e integrimit të këtyre komuniteteve në Komunën e Prizrenit, por njëkohësisht kanë pranuar se mbetet edhe shumë për të bërë në këtë drejtim, si nga institucionet ashtu edhe aktorët e tjerë shoqërorë, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit për zbatimin e projektit të risocializimit të të kthyerve nga vendet e Evropës Perëndimore në territorin e kësaj komune, ka theksuar se krahas të riatdhesuarve do të punohet me gjithë pjesëtarët e komuniteteve Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian. Sipas tij, projekti zbatohet nga OJQ “Nevo Koncepti” me mbështetjen nga Qeveria gjermane.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)