Arbëri

Asnjë hap drejt funksionalizimit të Spitalit në Podujevë

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka bërë të ditur asnjë hap që do ta ndërmarrë për funksionalizimin e Spitalit të Podujevës, me gjithë kërkesën zyrtare që i është adresuar prej kohësh nga ana e Komunës. Për më tepër, zyrtarët e Ministrisë janë duke heshtur për mosfunksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë, meqë janë bërë më shumë se një muaj (që nga 18 prilli) prej kur gazeta ka kërkuar përgjigje nga Divizioni për Komunikim me Publikun të kësaj ministrie në lidhje me këtë çështje.

Por ato kanë munguar, edhe pse udhëheqësi i DKP-së, Faik Hoti, të nesërmen më 19 prill (nëpërmjet postës elektronike) kishte thënë se shumë shpejt do të përgjigjet, sapo t’i ketë informacionet, shkruan sot Koha Ditore.

Por ai më nuk u është përgjigjur as thirrjeve telefonike, ndërkohë që pyetjet i janë ridërguar prapë. Në Komunën e Podujevës kanë thënë se funksionalizimi i Spitalit është kompetencë e MSH-së. Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Zaim Thaçi, nëpërmjet Zyrës për informim ka thënë se janë në pritje që kjo ministri të ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)