Shkelet afati për publikimin e listës së uzurpimeve në Gjilan

Shkelet afati për publikimin e listës së uzurpimeve në Gjilan

Feim Azemi 22 May 2019 15:31

Pushteti komunal i Gjilanit nuk është duke respektuar afatet kohore për publikimin e listës së uzurpatorëve të pronës publike, ngase ishte paraparë që lista, e cila përmban të dhënat e uzurpimeve në qytet, të bëhej publike javën e kaluar.

Zotimin për publikim e kishte bërë vetë kryetari i Komunës së Gjilanit, i cili kishte deklaruar në mbledhjen e bordit të drejtorëve se nuk do të tolerohej shfrytëzimi i paligjshëm i pronës publike, dhe se ata do të merrnin masa për lirimin e këtyre pronave. Mirëpo, zotimet e kreut të kësaj komune nuk janë përmbushur, sepse Drejtoria për gjeodezi, kadastër dhe pronë ende nuk është gatshme që të dorëzojë listën me uzurpimet, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori komunal për Kadastër, Sadudin Berisha, deklaron se ata janë duke punuar në finalizimin e listës, e cila përmban të dhënat rreth uzurpimeve dhe se tashmë janë në fazën finale. ”Jemi duke punuar në atë drejtim dhe shumë shpejt do të kryhet ajo punë. Jemi duke punuar dhe së shpejti do të publikohet lista sipas kërkesës së kryetarit të komunës. Ajo është pothuajse finale”, ka thënë ai.

Mirëpo në anën tjetër ekzekutivi i komunës nuk ka arritur të japë sqarime për arsyet e zvarritjes së procesit të publikimit të uzurpimeve, të cilat kanë ndodhur në këtë komunë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme