Arbëri

Ambasada e Bullgarisë rinovon një kopsht të fëmijëve në Istog

Descriptive Text

Istog, 21 maj – Ambasada e Bullgarisë në Kosovë ka ndarë rreth 15 mijë euro për projektin e rinovimit të një kopshti të fëmijëve në Istog. Për zbatimin e këtij projekti, të martën në Istog, kryetari i Komunës, Haki Rugova, dhe zëvendësambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Kiril Yanchev, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.

“Kryetari i Komunës, Haki Rugova, priti sot në takim zëvendësambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Kiril Yanchev, me të cilin nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e projektit për pajisjet me infrastrukturë të brendshme për institucionin e edukimit parashkollor, ‘Gëzimi ynë’ në Istog, ku nga ky bashkëpunim Komuna e Istogut do të përfitojë një shumë prej 14 mijë e 680 eurosh”, thuhet në një njoftim të kësaj komune, shkruan sot Koha Ditore.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, zëvendësambasadori e Bullgarisë në Kosovë, siç thuhet në këtë njoftim, tha se kjo është një ndihmë financiare nga Republika e Bullgarisë për Komunën e Istogut për rinovimin e kopshtit për fëmijë.

“Besoj se ky është një fillim i mbarë për një bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen dhe besoj që marrëdhëniet ndërmjet Ambasadës së Republikës së Bullgarisë dhe Komunës së Istogut filluan që nga sot dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, u shpreh Yanchev. Ndërsa, kreu i Istogut, Haki Rugova, falënderoi Yanchevin për vizitë dhe për grantin e dhuruar për Komunën e Istogut, duke theksuar se ky grant ka një peshë të madhe për Komunën e Istogut, dhe se ky bashkëpunim, sipas Rugovës, është një fillim i mbarë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.