Arbëri

Spitali i Pejës bëhet me sallë të telemjekësisë

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka modernizuar sallën e saj të konferencave me teknologjinë e fundit informative për telemjekësi. Ky projekt, sipas zyrtarit të sistemit të teknologjisë informative në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, Besfort Gashi, është realizuar me një investim prej Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës dhe Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.

Me anë të këtij projekti të realizuar, siç tha Gashi, mundësohet një komunikim shumë më efikas në largësi, si pikë kryesore e telekomunikimeve dhe qendër trajnimi për mjekë, infermierë dhe personel teknik, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne e kemi të instaluar në spital teknologjinë e fundit të internetit. Me këtë projekt tash mundësohet komunikimi në largësi korale, në të cilin mund të kyçen drejtpërdrejtë deri në 13 persona për të organizuar trajnime për mjek, infermierë, personel teknik, telekonsultime... në Kosovë dhe jashtë Kosovës me grupe të ndryshme të interesit”, thotë Gashi.

Falë kësaj teknologjie, sipas Gashit mjekët dhe grupe mjekësh mund të shkëmbejnë përvoja dhe të diskutojnë mes veti brenda e jashtë vendit, dhe mund të bëhen konsultime të ndryshme mes spitaleve për tema të ndryshme.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)