Këshilltari i pavarur në Lipjan dorëhiqet pasi që hyn në bordin e ndërmarrjes publike

Këshilltari i pavarur në Lipjan dorëhiqet pasi që hyn në bordin e ndërmarrjes publike

15 May 2019 13:31

Këshilltari i pavarur në KK të Lipjanit, Selatin Retkoceri, para pak ditësh ka dhënë dorëheqjen nga Kuvendi me arsyetim se KK-ja ka marrë një vendim pa vullnetin e një pjese të banorëve për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e xhamisë në fshatin Llugaxhi. Mirëpo, sipas një vendimi në Qeverinë e Kosovës, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, Retkoceri paraprakisht ishte punësuar në një pozitë tjetër, e cila është në konflikt me pozitën e këshilltarit komunal.

Në vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, midis të tjerash thuhet se më 2 prill të këtij viti është marrë vendim për emërimin e drejtorëve në bordin e Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Deponive Sh.A. Ndërkaq në mesin e gjashtë të emëruarve është edhe Selatin Retkoceri, shkruan sot Koha Ditore.

Nga ana tjetër, pas dorëheqjes së Retkocerit nga Kuvendi Komunal ka reaguar subjekti më i madh opozitar - PDK-ja, që e ka akuzuar atë për gënjeshtër ndaj qytetarëve. Ramiz Qeriqi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se Retkoceri paraprakisht është zgjedhur anëtar i bordit në një ndërmarrje publike për menaxhimin e mbeturinave, ndërkohë para qytetarëve të Lipjanit ka dhënë fjalën publike se është larguar nga Kuvendi shkaku i vendimit për ndarjen e parcelës së xhamisë.

Nga ana tjetër, KD-ja ka provuar të enjten të marrë edhe një deklaratë nga ish-kuvendari Selatin Retkoceri, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme