Arbëri

Rrëfime lufte, iu vranë pesë vëllezër për një ditë

Deri në vitin 1999 i kishte gjashtë djem. Por në një ditë të kobshme prilli Idriz Dvoranit nga Tërsteniku i mbeti vetëm një djalë. Më i vogli Hajrizi që kishte 12 vjet.

Pesë të mëdhenjtë iu vranë. Hysni, Avni, Veli, Lumni dhe Haki Dvorani u vranë për një ditë më 30 prill të vitit 1999 në fshatin Vërbovc të komunës së Drenasit.

I zoti i shtëpisë ka vdekur para dy vitesh, por prapa ka lënë trashëgimtarin e vetëm Hajrizin i cili tashmë është rritur, është martuar, ka krijuar familje dhe ka përtërirë emrat e dy nga vëllezërve, Hysniut dhe Avniut.

Avni(Hajriz) Dvorani sot është 5 vjeç, dhe babai i tij Hajrizi i flet për kujtimin që mban për pesë vëllezërit e tij që u vranë për një ditë. Më i madhi Hysniu ishte ushtar i UÇK-së.

Rrëfimin e tij për atë se çka ka ndodhur me vëllezërit e tij para 20 vitesh e rrëfen për KosovaPress Hajriz Dvorani tash 32 vjeçar.

Hajrizi që në atë kohë ishte 12 vjeçar kujton që para rënies, rrallë i shihte vëllezërit, meqë tregon se ata ishin të angazhuar në aktivitetet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai i mban në mend vetëm kur vinin natën në shtëpi që të merrnin bukë.

“Ne kemi qenë në shtëpi, larg tyre, veç kur vinin me marrë bukë, natën, ose diçka rroba, sepse nuk kemi qenë bashkë, kemi qenë të rrethuar në shtëpi pastaj ne, nuk kemi mundur me lëvizë”, tregon Hajrizi.

Vëllai më i madh i Hajrizit, Hysniu ishte 28 vjeç, ndërsa më i vogli që ra ishte 19 vjeç.

“Në luftë i kam pas 11 vjeç, kam qenë në shtëpi me nënën, babën dhe dy motrat. Vëllezërit kanë qenë në fshatin Vërboc kanë qëndruar aty gjatë asaj kohe. Vëllezërit janë vrarë me 30 prill, janë zënë të pestit në fshatin Vërboc, pastaj një natë kanë qëndruar në xhaminë e fshatit Qirez, të nesërmen i kanë pru në Sharavina, (Çikatovë të Vjetër) dhe janë pushkatuar aty, rreth 20 veta, në mesin e tyre edhe mixha, djali i mixhës dhe kushëri, që kanë qenë bashkë”, thotë ai.

Dëshmori Hysni Dvorani, tregon Hajrizi, ishte inkuadruar qysh në fillim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Por jo vetëm nga familja e Hajriz Dvoranit ka të vrarë. Por ka edhe banorë të këtij fshati që i kanë mbijetuar masakrës dhe pushkatimit nga forcat serbe.

Xhaxhai i Hajrizit, Ismet Dvorani tregon se ishte bashkë me vëllanë dhe pesë nipat deri kur u vranë të gjithë së bashku.

“Herën e fundit vëllanë dhe nipat i kam parë në Qirez, që mos me i pa më kurrë. Prej aty na kanë dërguar me duar pas qafe në xhami të Qirezit, aty na kanë maltretuar. Aty kemi qendru atë natë, xhamia ishte e kallur, 177 persona kemi qenë aty. Të nesërmen krejt jashtë na kanë qit, rreth xhamie dhe përpara duke na maltretuar “, tregon ai.

Përjetimet e banorëve të këtij fshati ishin të rënda, dhe sot dy dekada më vonë, dëshmitarët e gjallë flasim me të njëjtën ndjenjë sikur ngjarja të kishte ndodhur dje.

Edhe Ilir Dvorani kushëri i Hajriz Dvoranit tregon për atë ditë kur janë pushkatuar meshkujt me 30 prill.

“Kemi hyp në kamionë, jemi ngarkuar aty, ka qenë vetëm erë gjaku, që kishte shkuar turra e parë. Na kanë ngarkuar në kamionë, ashtu siç kemi mundur. Nuk kam mundur ta përballoj, por është dashur, disa herë jam lutur Zot shkrepe, mos të heqim më. Kemi ardh në shavarina, tmerri ka qenë aty, kemi parë grupe duke i detyruar të bien në mina, vetëm i shikonim duke rënë. Na kanë vendosë përsëri në kamion, nuk na kanë lënë më zbrit prej kamionit. Çdo turrë nga dy kamionë i kanë ndalë i kanë pushkatu, e një e kanë dërguar në Drenas. Kamioni ynë pati fatin me ardh në Drenas”, thotë ai.

Këta dëshmitarë patën fatin e njëjtë me vëllezërit Dvorani në ato përjetime të rënda, por përfundimi nuk ishte i njëjtë për të gjithë.

Pesë vëllezërit e Hajriz Dvdoranit nuk dolën të gjallë nga lufta e fundit në Kosovë.

Dëshmori Hysni Dvorani pushon në varrezat e dëshmorëve në Morinë, tre prej tyre në varrezat e martirëve, ndërsa i pesti t pranë varrit të babait në varrezat e fshatit.

Hajri Dvorani thotë që i viziton shpesh varret dhe kujdeset për to. Aty i dërgon edhe djemtë, që mbajnë emrat e axhallarëve të tyre. Iu flet për secilin nga ta.

Por ai nuk është i kënaqur me trajtimin që shteti ua bënë këtyre kategorive.

Hajrizi thotë se vëllau i tij Avni Dvorani ishte pjesë e UÇK-së, dhe i ka të gjitha dëshmitë për këtë, por që nuk gëzon një status të tillë, meqë i është refuzuar nga komisioni.

“Vëllai i dytë është inkuadruar në ushtri, nuk ma kanë pranuar ushtar i UÇK-së, dëshmor, i kam të gjitha dokumentet që i kam dorëzuar, komisioni ma ka refuzuar, kam bërë ankesë prapë ma kanë refuzuar, ka qenë në grup vet i 25, të tjerët janë gjallë janë veteranë të UCK-së, atij nuk i është pranuar statusi i dëshmorit”, tregon Hajrizi.

Hajrizi është i lidhur fort më kujtimin për vëllezërit e tij, thotë se ai, dhe prindërit, kanë pasur dëshirë që atyre të iu përtërihen emrat.

Ai thotë se fëmijët e tij një ditë do të dinë më shumë për historinë e familjarëve të tyre