Arbëri

Kreu i Komunës së Pejës kërkon marrjen e licencave të lokaleve të natës

Në takimin e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Pejës të hënën është ngritur çështja e problemeve më të cilat po ballafaqohet Inspektorati Komunal me lokalet e natës. Leotrim Murtezi, drejtor i Inspektoratit Komunal, veçoi si sfidë të inspektorëve punën e lokaleve të natës jashtë orarit të punës ku, siç tha ai, ky orar nuk po respektohet nga disa pronarë lokalesh, megjithëse është intensifikuar edhe puna dhe bashkëpunimi me policinë.

Për këtë problem kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, u shpreh se Prokuroria dhe Policia do t’i ashpërsojnë në maksimum masat, kurse, sipas tij, Komuna duhet të suspendojë të gjitha licencat e përkohshme të dhëna për punën e këtyre lokaleve me orar të zgjatur. “Problemi është te mosrespektimi i orarit të punës. Orarin e kanë deri në orën 24:00, e disa prej tyre po i mbajnë hapur deri në 2, 3, 4 e 5 të mëngjesit. Deri tash i kemi mbyllur gjashtë lokale nate mu për shkak të mosrespektimit të orarit të punës”, tha për “Kohën Ditore”, drejtori i Inspektoratit, Leotrim Murtezaj.

Ai tregoi se aktualisht janë në pritje të sjelljes së një vendimi për t’i mbyllur krejtësisht këto lokale nate. “Ne vazhdimisht jemi duke i monitoruar, po i gjobisim dhe po i detyrojmë me i mbyllë lokalet, shkaku i mosrespektimit të orarit të punës. Aktualisht jemi duke punuar në një plan veprimi edhe me Policinë dhe Prokurorinë, sepse edhe ato janë duke na përkrahur në këtë çështje.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)