Arbëri

Shpronësimet vonojnë punimet në magjistralen Podujevë-Prishtinë

Me ritëm të ngadaltë janë duke vazhduar punimet në zgjerimin e rrugës N25-magjistralja Podujevë-Prishtinë. Edhe pse ky projekt ka nisur në vitin 2016 (4.23 kilometrat e para), të njëjtat nuk kanë përfunduar ende, ndërkohë që planifikimet kanë qenë që kjo pjesë që fillon prej rrethrrotullimit afër hotel “Besianës” deri në fshatin Gllamnik (në drejtim të Prishtinës) të përfundojë në 2017-n.

Ministria e Infrastrukturës vitin e kaluar ka shpallur tender të ri, për pjesën nga fshati Gllamnik deri në Lluzhan. Por, edhe kjo pjesë është duke shkuar shumë ngadalë. Përgjatë këtyre kilometrave të zgjeruara askund nuk është ndërtuar shiriti ndihmës, asnjë vendstacion për autobusë dhe po ashtu 2 ura dhe një mbikalim që janë paraparë në 4.23 kilometrat e para, shkruan sot Koha Ditore.

Shumë pyetje rreth këtij projekti i janë drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës më 27 shkurt dhe i janë ridërguar më 1 prill. Por, ky institucion vazhdon të heshtë edhe pas kaq muajve. Njësoj ka vepruar edhe kompania “Altrade” e cila e kishte fituar tenderin për pjesën e parë në 2016. Të vetmit që janë përgjigjur janë zyrtarët e kompanisë “R&Rukolli” sh.p.k. të cilët janë duke e zgjeruar pjesën e dytë të kësaj rruge. Drejtori teknik në këtë kompani, Ragip Behrami, nëpërmjet përgjigjeve me shkrim e ka pranuar se ritmi i punës është i ngadaltë, por sipas tij, rruga del jashtë pronës publike dhe se shpronësimi nuk është punë e tyre.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)