Arbëri

Deponia e Velekincës në hall, qytetarë të paautorizuar duke rrezikuar vetën marrin mbeturinat

Disa njerëz janë shndërruar në problem për deponinë në Velekincë të Gjilanit.

Zyrtarët e kësaj deponie për këtë, kanë kërkuar ndihmë nga komuna, por edhe nga policia, mirëpo thonë që askush nuk ka ndërmarrë asgjë.

Dy vjet më parë një person ishte shtypur me makineritë e kësaj deponie, derisa njësoj siç ndodh tani, ishte duke mbledhur mbeturinat e reciklueshme për t’i shitur, raporton KTV.

Kryeshefi i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, Abdullah Haxhiu, ka thënë se këtë problem e kanë që nga viti 2007.

Mirëpo, në komunën e Gjilanit thonë se kjo deponi nuk është në kompetencë të tyre dhe se komunikimi me menaxhmentin e saj është i pamundur.

Por, këtë e mohon Haxhiu duke thënë që ka pasur dhjetëra takime me zyrtarë komunalë në lidhje me këtë problem.

Ai shton se ka dyshime se kjo po ndodh vetëm që Komuna të marrë deponinë në menaxhim.

Për tërë këto ka alarmuar edhe institucioni i Avokatit të Popullit.

Në një raport, kanë evidentuar probleme si mos arritja e mbajtjes nën kontroll të deponisë, depërtimi i lehtë i personave të paautorizuar, përfshirë fëmijë të cilët pa asnjë masë mbrojtëse në momentin e shkarkimit qëndrojnë në afërsi të automjeteve transportuese duke e rrezikuar jetën e tyre.

Për këtë, ky institucion ka rekomanduar Komunën e Gjilanit, Ministrinë e Mjedisit dhe Kompaninë për Menaxhimin e Mbeturinave të Kosovës që të zgjidhin problemin me hapa konkretë.

Sa u përket këtyre rekomandimeve, Haxhiu thotë se disa herë kanë vendosur rrethoja në deponi mirëpo njerëzit që marrin mbeturinat nga aty, i kanë hequr edhe rrethojat.