Arbëri

Institucionet hulumtojnë ngordhjen masive të peshqve në Mirushë

Foto: Koha

Në rrjedhën e lumit Mirusha të Komunës së Malishevës sërish ka ndodhur ngordhja masive e peshqve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky është rasti i dytë i këtillë brenda 10 muajve. Kësaj here në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit Mirusha, përkatësisht në kanionin dhe Ujëvarat e Mirushës. Institucionet përkatëse kanë bërë të ditur se kanë dalë në terren për të hulumtuar rastin. Sipas tyre, ende nuk dihet shkaktari i ngordhjes masive të peshqve, megjithëse e pranojnë se ka hapësirë për shqetësim, pasi që rasti është përsëritur nga viti i shkuar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti, përmes një përgjigjeje me shkrim ka bërë të ditur se mostrat e marra nga vendi i ngjarjes janë dërguar për analiza dhe se vetëm pasi të dalin rezultatet e analizave mund të diskutohet për shkaktarin e ngordhjes së peshqve.

“MMPH-ja është e njoftuar me këtë rast dhe në momentin e njoftimeve për ngordhjen e peshqve ka kontaktuar menjëherë Inspektoratin komunal që të merren sa më parë mostrat e ujit për analizë, dhe të bëhet një inspektim i kësaj pjese për ndonjë dyshim të mundshëm. Ndërsa ekipi i IHMK-së ka dalë në terren për marrjen e sërishme të mostrave të ujit, të cilat bashkë me mostrat e marra në momentin e ngordhjes së peshqve janë dërguar për analizë. Pas rezultateve të analizave, mund të diskutohet për shkaktarin e kësaj ngjarjeje”, ka thënë Sahiti.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)