Arbëri

Banorët e Paldenicës vizatojnë zebra në “Arbën Xhaferi”, thonë se do ta bllokojnë përurimin

Kjo bllokadë ishte vendosur vetëm për 3 muaj, por ka një vit që ka mbetur kështu.

Banorët e fshatit Paldenicë të Komunës së Hanit të Elezit, kanë protestuar vazhdimisht për bllokimiin e rrugës, që ua pamundëson qasjen në qytet dhe në toka bujqësore, raporton KTV.

Në shenjë proteste, ata kanë vizatuar edhe zebra në mes të autostradës “Arbën Xhaferi”.

Banorët e këtij fshati fajësojnë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Bechtel&Enka-n për mospërmbushjen e premtimeve.

Ata kanë paralajmëruar edhe moslejimin e përurimit të kësaj autostrade.

Nëse premtimet nuk përmbushen, pengimin e përurimit të autostradës do ta përkrahë edhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Ai tregon se ka një muaj qëkur ka pritur zëvendësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, që të shohë nga afër gjendjen, por ai nuk është lajmëruar.

Në vendngjarje është parë edhe Policia e Kosovës, pas vizitimit të zebrave nga banorët.

Zëvendësministri Rexhep Kadriu, i kontaktuar nga KTV-ja, nuk ka dashur të flasë për këtë.

Që nga fillimi i ndërtimit të kësaj autostrade, banorët e këtij fshati kanë protestuar dhjetëra herë, duke kërkuar përmbushje të kërkesave të tyre.